E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hijet që Mbeten Përpara

03/03/2005  Pak ditë më parë, ndërsa vëmendja e mediave dhe e opinionit publik ishte e përqendruar te raundi i fundit i negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, në Kuvend u diskutua dhe u hodh poshtë një nga projektligjet më të rëndësishme të periudhës postkomuniste. Shumë pak media e trajtuan këtë ngjarje madhore. Shumë pak organizata joqeveritare e ngritën zërin për të. Ky projektligj vdiq në një heshtje varri.

Bëhet fjalë për ligjin për lustracionin. Ky projektligj synonte të hidhte dritë mbi ato personalitete politike që në të kaluarën kanë bashkëpunuar me organet e sigurimit. Synimi i tij ishte të largonte nga politika individë të tillë, që tashmë ndodhen në poste të larta drejtuese. Ndryshe nga sa është paraqitur shpesh një ligj i tillë, tashmë në fuqi në shumë vende ish-komuniste, nuk synonte pengimin e personave që kanë bashkëpunuar me sigurimin për të kandiduar për deputet. Qëllimi i ligjit ishte thjesht që dosja e çdo deputeti të ishte e hapur për publikun. Më pas është ky i fundit që vendos nëse dëshiron të votojë për persona të tillë apo jo.

Pavarësisht nga kontestimet teknike, që iu bënë këtij ligji nga një sërë deputetësh socialistë, në thelb të tij qëndronte transparenca, çlirimi i procesit të politikëbërjes nga vargonjtë e së kaluarës që riprodhohen në të tashmen. Ai synonte vendimmarrje në funksion të interesave të elektoratit dhe jo nën presione dhe për interesa anonime. Një sërë argumentesh, që u paraqitën për të kundërshtuar këtë projektligj si antidemokratik dhe antikushtetues, më shumë se gjithçka treguan mungesën e vullnetit apo të lirisë për t’u çliruar nga fenomeni famëkeq i dosjeve. Rrëzimi i këtij ligji në Kuvend nxori edhe një herë në pah realitetin e trishtë, në të cilin ndodhet procesi i politikëbërjes shqiptare.

Këtë radhë ky realitet u zbulua nga shumica socialiste, e cila duket se nuk ka as vullnetin dhe as lirinë për të qenë një vendimmarrëse sovrane, çka vë në pikëpyetje vetë sovranitetin e parlamentit si institucioni suprem i demokracisë parlamentare shqiptare. Por do ishte gabim që fenomeni të shikohej thjesht si një problem i shumicës aktuale socialiste, ndonëse ajo është përgjegjësja kryesore për dështimin e radhës. Themi dështim i radhës, pasi çlirimi i procesit të politikëbërjes nga dosjet e errëta të sigurimit nuk ndodhi as gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike në vitet 1992–1996. Pavarësisht nga legjitimiteti i madh në vitet e para të qeverisjes së saj, Partia Demokratike dhe lideri i saj nuk treguan vullnetin dhe guximin e nevojshëm për të hapur dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit, gjë që mund të kërkonte edhe zgjedhje të parakohshme, pasi një pjesë e mirë e tyre ishin në radhët e PD-së. Ky do të ishte një akt i guximshëm që një herë e përgjithmonë do ta çlironte politikën shqiptare nga individë pa liri. Kjo nuk ndodhi, kështu ky problem u trashëgua në të tashmen, vetëm për të na treguar se sa e mbërthyer është edhe maxhoranca e sotme socialiste nga hijet e së kaluarës.

Mungesa e vullnetit për të hapur këto dosje është simptomë e një problemi më të thellë që e ka prekur dhe tunduar gjithmonë atë forcë politike që ka qenë në pushtet; përdorimi i dosjeve si mjet presioni. Dosjet përbëjnë një pasuri të madh për pushtetarin, ato garantojnë bindje, besnikëri të verbër dhe rrjedhimisht siguri në vendimmarrje. Kështuqë, ata, të cilët janë më të interesuar për mos t’i hapur dosjet janë gjithmonë pushtetmbajtësit, për të cilët dosjet ofrojnë një mekanizëm të pazëvendësueshëm kontrolli. Dhe kjo është një nga arsyet se përse tentativa për hapjen e dosjeve ka dështuar në vazhdimësi, ajo është bllokuar gjithmonë nga forca politike në pushtet.

Shumë deputetë u përpoqën ta minimizonin rëndësinë e ligjit për lustracionin. Madje, ai u trajtua edhe si një çështje e tejkaluar. Diçka krejt e pavërtetë, në të kundërt nuk ka arsye se përse shumica aktuale socialiste nuk është e gatshme që t’i hapë dosjet e deputetëve të saj për publikun. Problemi i dosjeve jo vetëm që nuk është tejkaluar, por në saj të mentalitetit mbizotërues, ai riprodhohet çdo ditë. Në fakt, kërkesa për “dosjexhi” ashtu si dhe promovimi i tyre në poste politike kyçe është një fenomen jo i rrallë në politikën shqiptare, për vetë sigurinë, bindjen dhe kontrollin që këta i ofrojnë pushtetmbajtësve. Kështu, dosjet janë para së gjithash një dukuri që vazhdon.

Ato prodhohen çdo vit, çdo muaj, çdo ditë. Dosja e një gjyqtari që dikur, diku, nga padija apo nga presioni, i shtyrë nga paratë, apo njohjet ka liruar një kriminel, një polic i korruptuar, një prokuror i blerë apo i shitur, një ministër apo zv.ministër, që ka firmosur një prokurorim të padrejtë dhe çdo zyrtar shtetëror, apo qytetar që shkel ligjin në Shqipëri më shumë sesa një të pandehur prodhon një dosje, e cila diku, dikur aktivizohet nga dikush. Kjo s’është aspak e vështirë në një shoqëri si e jona, ku ligji duket sikur është bërë për t’u dhunuar, ku ligji më lehtë shkelet sesa respektohet.

Në këtë mënyrë prodhohet dhe konsolidohet një sistem, i cili në themel të tij ka mungesën e transparencës. Në këtë sistem, shkelja e ligjit nuk penalizohet, por thjesht arkivohet, gjë që e nxit atë edhe më tepër. Sa më shumë shkelje aq më shumë dosje, sa më shumë dosje, aq më shumë kontroll dhe bindje. Kështu krijohen klane dhe grupime të bindurish, për të cilët votimi në parlament, vendimmarrja në ministri, apo parti, nuk ka të bëjë me parime politike, me moralin, por është thjesht pasojë e një të shkuare të arkivuar. Në këtë mënyrë deformohet tregu politik jo vetëm në cilësinë e vendimmarrjes dhe lojës politike, por edhe në llojin e personazheve, që promovohen dhe bëjnë karrierë në poste të larta shtetërore dhe politike. Në këtë mënyrë, pushteti i përngjet gjithnjë e më tepër një bashkësie mëkatarësh, që përbëhet nga ata që e lejojnë dhe përfitojnë nga shkelja e ligjit dhe ata që e bëjnë këtë shkelje.

Ky është një fenomen që, ndërsa është trashëguar nga e kaluara, është perfeksionuar në të tashmen. Vendimi për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit në politikë do ishte hapi i parë për t’u ndarë njëherë e mirë si nga një praktikë e tillë politikëbërjeje, ashtu dhe nga e kaluara jonë komuniste. Pikërisht për këtë arsye vendimi i shumicës për ta rrëzuar këtë projektligj është dëshmi e qartë se nuk ekziston vullneti për t’u ndarë nga një praktikë e tillë, pasi ajo është shtylla kryesore që e mban pushtetin aktual. Kështu ndarja me të kaluarën nuk ndodh. Përkundrazi e kaluara riprodhohet vazhdimisht në të tashmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›