E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ethet" e dollarit dhe njerëz të pashpirt...

18/04/2005  Ajo beson se është një mace, një mace që ecën mbi një "çati" të nxehtë, që djeg githçka, madje edhe vetë shpirtin e saj. Megi (Luiza Xhuvani) kalon një krizë të thellë morale dhe shpirtërore. Marrëdhënia e saj me Brikun (Alfred Trebicka) është rrënuar tërësisht, pikërisht kur pritet të shpallet trashëgimtari i miliona dollarëve. Një baba (Bujar Lako), i cili brenda një nate do të shkojë nga parajsa në ferr. Individë që kanë humbur kuptimin e jetës, kuptimin e dashurisë njerëzore, ku në vend të njeriut shohin dollarë të lëvizshëm, por që era duhet me çdo kusht t’i hedhë në “kopshtin” e tyre. Aty ndodhet edhe Gruberi, djali i madh i familjes (Dritan Boriçi) së bashku me bashkëshorten e tij Mei (Rajmonda Bulku) dhe 5 fëmijët e tyre. Të gjithë për të festuar de juro ditëlindjen e Babait, de facto për të siguruar thelën e majme nga trashëgimia e tij, pasi në vend të urimeve për 65 vjetorin e tij, thjesht do t'i zbulojnë faktin se ai vuan nga kanceri dhe i ka ditët e numëruara... Një nënë (Holta Daku), e cila me sjelljen e saj naive, përpiqet të ruajë disa ekuilibra... Karaktere që "zbërthehen" plotësisht, në tërë dimensionet e tyre, por në çaste të ndryshme e në varësi të rrethanave. Një "zbërthim" shumëplanësh që të trondit, të kall tmerrin, ku nocionet njeri, dashuri, moral, lidhje gjaku nuk kanë vlerë. Kush mund të imagjinojë që një bir dhe gruaja e tij, presin me padurim vdekjen e të atit, thjesht për të trashëguar pasurinë që ai le pas, duke dhënë shfaqje të pafund hipokrizie. Një djalë tjetër që vuan dramën e tij personale, e cila po e vret çdo ditë, që shtegun e shpëtimit e sheh vetëm tek alkoli... i përhumbur në botën e tij, dëshiron me çdo kusht të mos mendojë për asgjë, pasi kudo ku hedh sytë ndesh vetëm hipokrizi, hipokrizi dhe përsëri hipokrizi... Një realitet universal. Mjafton të mbyllsh sytë për një moment dhe të përpiqesh të analizosh ata që ndodhen rreth teje dhe do të kuptosh, se mjaft syresh ndryshojnë nga personazhet që sjell Williams në skenë, vetem nga nivelet dhe parametrat..., me hipokrizinë si një maskë, e betonuar përjetësisht në fytyrat e tyre dhe, ç'ka është më keq, thellë në shpirtin e tyre. Por do të ishte e pamundur të kishe një ndjesi të tillë në premierën e dramës "Macja në çatinë e nxehtë", pa interpretimet tepër realiste të Luiza Xhuvanit (Megi), në një rol krejt ndryshe nga rolet e luajtuar më parë, të Alfred Trebickës (Briku) që shpirtërisht dhe fizikisht kishte hyrë nën lëkurën e personazhit 100%, një baba-padron, i cili urren dhe ka neveri nga gjithçka, i interpretuar në parametra maksimalë mjeshtërisht nga Bujar Lako, një nënë e sjellë skenë në të gjitha dimensionet e saj, krejt natyrshëm prej Holta Dakut, një nuse shtëpie e sjellë me shumë origjinalitet në skenë nga Rajmonda Bulku (Mei), një bir i pashpirt Dritan Boriçi (Guber) dhe bashkëshortja e tij (Mei) prezantuan qartë makutërinë dhe shpërfytyrimin njerëzor. Një ansambël i dirigjuar me profesionalizëm të lartë nga regjisori Duni, i cili, përveç akteve dramaturgjike, kishte mundur të lidhte në një atmosferë të vetme dhe organikisht skenografinë-labirinth, efektet ndriçuese, por edhe tingujt e muzikës "country" që shoqëronin në sfond veprën. Një vepër; e cila tingëlloi krejtësisht shqip, sajë përkushtimit profesional të përkthyesit Artur Lena.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›