Etje në Kukës, vetëm 1 orë ujë në ditë
Kukës- Me mijëra banorë të qytetit të Kukësit po vuajnë mungesën e ujit të pijëshm prej dhjetra ditësh, dhe sot i kanë bërë apel qeverisë të marrë masa.
Rreth 25 mijë banorë që ka ky qytet furnizohen me ujë të pijshëm vetëm 1 orë në ditë pasi ka rënë niveli i ujit në burimet kryesore që furnizojnë qytetin. Banorët shprehen se një sai e madhe uji shpërdorohet nga lavazhet apo dhe baret, duke shkaktuar ndërprerje për të gjithë zonën.
Vetë strukturat e Bashkisë shprehen se do të merren masa ndaj lokaleve që shpërdorojnë ujin apo që nuk paguajnë detyrimet, por një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur.
Ujësjellësi i ri për Kukësin ka mbetur në gjysmë, pasi para 3 vitesh filluan punimet për ndërtimin e tij, por nuk kanë përfunduar ende.
Banorët shprehen të shqetësuar pasi detyrohen të blejnë ujin e pijshëm, ndërkohë që temperaturat e larta rrisin akoma më tepër nevojën e tij. Ata i kanë bërë thirrje qeverisë të marra masa, pasi situata është tepër e rënduar.