E Diel, 1 Nëntor 2026

Mehmet Shehu “akuzon” një fshatar pse rriste tufën me 120 dele

28/03/2005  Cili ishte shkaku i dështimit të planeve në ndërtimin e industrisë në Shqipëri? Në cilin kongres u vu detyra kryesore ekonomike që “nga një vend agrar i prapambetur, Shqipëria të shndërrohet në një vend agraro-industrial”? Si shkonte kolektivizimi dhe si paraqitej situata ekonomike në vend? Kur u vendos puna vullnetare? Miratohet rezoluta për ngritjen e fermave bujqësore dhe kooperativave blegtorale

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Afatet e përfundimit të veprave të mëdha industriale, si kombinati i përpunimit të naftës në Cërrik e hidrocentrali mbi lumin Mat, u shtynë në pesëvjeçarin e ardhshëm, ndërsa ndërtimi i uzinës së derdhjes të çelikut dhe i fabrikës së briketimit të qymyrgurit, u hoqën nga plani. Këtë herë, gabimet në planifikim nuk iu veshën faktorit të jashtëm (jugosllav) keqdashës. U desh të merrej përgjegjësia mbi vete dhe në prill të vitit 1954, duke analizuar shkaqet e gabimeve, plenumi i KQ-së pranoi me gjysmë zëri: “Komiteti Qëndror dhe qeveria nuk e kanë drejtuar punën ashtu siç duhet, nuk i studiuan thellë problemet ekonomike dhe nuk kontrolluan realizimin e vendimeve të marra”.

Analiza e arritjeve të pesëvjeçarit të parë dëshmon dhe për sukseset në ekonomi.

Objektet më të rëndësishëm industrialë, që ishin vënë në shfrytëzim gjatë këtyre viteve, qenë kombinati i tekstileve “Stalin”, kombinati i sheqerit “8 nëntori”, dy fabrika të tekstileve të pambukta, fabrika e çimentos “Lenin”, etj. Rritja mesatare vjetore e prodhimit industrial, gjatë planit të parë pesëvjeçar, ishte në masën 22.8%.

Kongresi III (maj-qershor), që analizoi arritjet e planit pesëvjeçar, vuri në dukje realizimin e detyrës kryesore ekonomike: nga një vend agrar i prapambetur, Shqipëria ishte shndërruar në një vend agraro-industrial. Por, saktësia e kësaj dukurie qe tepër e kushtëzuar, sepse bujqësia vazhdonte të ishte e prapambetur.

Ndërmjet masës të madhe të ekonomive të vogla fshatare, të afta për të siguruar vetëm kërkesat më të pakta të familjes, 13 ndërmarrjet bujqësore shtetërore, të organizuara sipas shembullit të sovhozeve në ish tokat e konçesioneve italiane, nuk mund të sillnin përmirësimin e situatës. Ndërkohë, kolektivizimi ecte ngadalë. Në fillim të vitit 1949, numri i kooperativave bujqësore kishte arritur në 58 nga 7, kishin qenë 1946, pak më shumë se 2000 familje kishin bashkuar një sipërfaqe toke prej 11.400 ha, që përbënte vetëm 3.5% të gjithë sipërfaqes së tokës arë. Kështu, duke mos qenë frutdhënëse që, ata nuk mund të ishin një shembull i mirë i drejtimit të ekonomive.

Kongresi I i kooperativave bujqësore, në shkurt të vitit 1949, miratoi statutin e kooperativave, që bazohej mbi parimet organizative të kolhozeve sovjetike. Parulla orientuese “mos të nxitohemi, por as mos të qëndrojmë në vend”, u saktësua në plenumin e prillit të KQ-së në të njëjtin vit me udhëzimin për të shtyrë krijimin e kooperativave të reja, derisa të forcoheshin ekonomikisht ato, që ishin të ngritur më parë. Orientimi për zhvillimin e shkallë-shkallshëm të lëvizjes kooperativiste përputhej me kushtet e brendshme të Shqipërisë. Ishte e domosdoshme një hapësirë kohore për përgatitjen psikologjike. Në të njëjtën kohë, u quajt si njëfarë pakujdesie shmangia, thuajse e plotë, e formave të thjeshta ndërmjetëse të kooperimit (krijimi i shoqatave për punimin e përbashkët të tokës, për shitjen e prodhimit, etj.). por, në periudhën fillestare të lëvizjes, mungoi puna bindëse me fshatarët, të cilët nuk mund të kuptonin të mirat e punës së përbashkët. Ndërsa, kur ngritja e kooperativave u shndërrua në një fushatë politike masive, metoda e binjes ia la vendin trysnisë së masave administrative.

Në fshatin shqiptar ekzistonte prej shumë kohësh sistemi i detyrimeve, që u bë frenues për zhvillimin e bujqësisë. Në pranverën e vitit 1949, praktika për t’i shitur shtetit në mënyrë të detyruar të gjitha tepricat e prodhimit, u zëvendësua me tatimin në natyrë për çdo hektar, në varësi nga kategoria e tokës. Sistemi i ri parashikonte nxitjen e fshatarëve për të shtuar prodhimin, tepricën e të cilit mund ta shisnin në tregun e lirë apo në kooperativat tregtare. Lidhur me këtë, ndryshoi dhe mënyra e furnizimit të popullsisë.

Për punëtorët, nëpunësit dhe familjet e tyre, u vu sistemi i triskëtimit, sipas të cilit, sasi të normuara ushqimesh dhe mallrash industrialë bliheshin me çmim të ulët shtetëror.

Shqyrtimi i masave për përmirësimin e gjendjes në bujqësi ishte përherë në rendin e ditës të plenumeve të KQ-së, aktiveve e konferencave të ndryshme, në të cilat përpunoheshin udhëzimet për ti dhënë fshatit dhe kooperativave një mbështetje dhe ndihmë materiale më të madhe. Shpesh, një vendim zëvendësohej pas pak kohësh me një tjetër, krejt i kundërt nga i mëparshmi. Plenumi i KQ-së i prillit të vitit 1951, shqyrtoi problemin e kooperativizimit dhe miratoi orientimin për shpejtimin e tij. Por, pas një muaji, në një plenum jashtë radhës, vendimi ndryshoi, duke pranuar se kooperativat bujqësore ekzistuese nuk kishin arritur akoma atë shkallë zhvillimi, që me shembullin e tyre të nxisin futjen vullnetare të familjeve të varfra e të mesme në udhën e kolektivizimit.

“Çdo nxitim në këtë çështje, në kushtet e somte, mund të sjellë gabime të rënda, që nga ana e tyre do të dëmtojnë vetë idenë e kolektivizimit të bujqësisë”,-thuhej në rezolutën e miratuar nga plenumi.

Vija e kolektivizimit të përshkallëzuar, bazuar mbi parimin e vullnetarizimt të plotë, u ngulit në planin e parë pesëvjeçar të zhvillimit të ekonomisë popullore, të viteve 1951-1955. Në këtë etapë, ndihma praktike për fshatin përqendrohej në shtimin e investimeve kapitale dhe zgjerimin e rrjetit të SMT-ve. U fal borxhi, që fshatarët i kishin shtetit për vitet 1949-1952, u ul masa e detyrimeve në natyrë, u ulën taksat për plugjet, kultivatorët, lesat, etj.

Në prill të vitit 1954, u vendos të ndihmoheshin fshatarët individë, që nuk shfrytëzonin në ekonominë e tyre punë e argatëve. Rezultatet u dukën shumë shpejt. Në mënyrë të veçantë, mbresëlënëse qenë arrrtijet në blegtori. Sukseset e saj u propoganduan në ekspozitën bujqsore të vjeshtës, ku ato qenë në një nivel me ndërmarrjet stetërore dhe kooperativat. Por mundësitë për shtimin e prodhimit bujqësor, duke llogaritur rezervën, që krijonte oborri vetiak, nuk u morën parasysh nga udhëheqja e shtetit gjatë hartimit të politikës afatgjatë për fshatin. Shenjën për ndërprerjen e eksperimentit e dha kryeministri M. Shehu, që mori pjesë në konferencën Kombëtare të blegtorëve të përparuar në Shkodër, në dhjetor të vitit 1955. Ai e ndërpreu me ton të ashpër sekretarin e partisë së një organizate fshati, që po tregonte me pasion se si e mbarështonte tufën e tij prej 120 delesh: “Përse mburresh ti që je komunist dhe partizan?! Që ke më shumë dele se gjithë fshati së bashku? Ti je kulak!”. Malësori i shkurajuar la tribunën, ndërsa konferenca miratoi rezolutën, e cila përcaktonte masat për ngritjen e fermave shtetërore dhe kooperativave blegtorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›