Lens Armstrong, akuza për doping nga Floid Lendis
Lens Armstrong kthehet në bankën e të akuzuarve për doping. Akuzat ndaj çiklistit të mirënjohur amerikan, i cili ka triumfuar shtatë herë në “Turin e Francës” janë bërë nga Floid Lendis, një ish-shok i tij i skuadrës. Lendis ka pranuar publikisht se karriera e tij ishte bazuar në marrjen e substancave të ndaluara dhe përfshiu në këtë çështje edhe mjaft kolegë, mes të cilëve edhe “kanibalin nga Teksasi”, si edhe trajnerë. Rrëfimi-akuzë ka ardhur nga një korridor i niveleve të larta: në vitin 2006 atij i anuluan fitoren në “Turin e Francës” për shkak se u gjet pozitiv në testet antidoping dhe fitues në atë rast u shpall spanjolli mediokër “Oskar” Pereiro Sio. 35-vjeçari ka thënë të vërtetën e tij nëpërmjet postës elektronike: rrëfimi ka mbërritur në adresat e drejtuesve të federatës ndërkombëtare, të sponsorëve dhe te gazeta “Wall Street Journal”. Ai përshkruante detajet sesi mësoi që të kryente transfuzion gjaku dhe të merrte substancën. Lendis nënvijëzonte se më 2002 dhe 2003, vitet e para që garonte me skuadrën “Us Postal Service”, tregonte sesi trajneri i Armstrong, Johan Brujel e informoi rreth dopingut në gjak, ndërsa se në vitin 2003 kishte marrë në dhomën e Armstrong dy qeska prej gjysmë litri gjak, për t’i përdorur gjatë “Turit të Francës”.
#