Etoo enderron kthimin te Barca

Samuel Eto'o mund të kthehet te Barcelona. Lajmi bombastik vjen direkt nga kryeqyteti katalan, më saktësisht nga gazeta “El Mundo Deportivo”. Të martën që kaloi, sulmuesi 31-vjeçar ka qenë në Barcelonë, ku është takuar me disa prej ish-shokëve të skuadrës, Ksavi, Pujol e Valdes, me të cilët vazhdon të ketë marrëdhënie të shkëlqyera.
Kamerunasi duket se mes të qeshurave dhe seriozitetit i ka konfirmuar lojtarëve “blaugrana” se do të ishte i gatshëm të ulte në mënyrë të ndjeshme rrogën, vetëm që të rikthehej për të luajtur te Barcelona.
Sulmuesi duket se po mendon seriozisht të heqë dorë nga rroga 20.5 milionë euro në vit te Anzhi, pasi skuadra ruse nuk arriti të kualifikohej në Champions League, ashtu si I ishte premtuar fillimisht.
Kthimi i tij i mundshëm në “Kamp Nou” do të ishte një vendim për prestigj dhe trofe, por mbi të gjitha një zgjedhje e zemrës. Nga viti 2004 deri më 2009-ën, Eto’o ka qenë thelbësor për Barcelonën, ndërsa ai u largua nga katalanët prej marrëdhënies jot ë mirë me teknikun Pep Guardiola.
Rikthimi i kamerunasit te “blaugranat” është përgënjeshtruar menjëherë nga drejtuesit e klubit, të cilët kanë theksuar se nuk ekziston asnjë negociatë. Megjithatë, gjatë këtij sezoni Barça ka shfaqur probleme mbi të gjitha në finalizimin e aksioneve të shumta që krijon. Zgjidhja më e mirë e problemit do të ishte padyshim bomberi me 273 gola të realizuar në 522 ndeshje në karrierë. Aq më tepër që Eto’o e dashuron klubin spanjoll, për të cilin do të ishte i gatshëm të hiqte dorë nga milionat e manjatit Kerimov te Anzhi.