E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eto‘o quhet çmenduria e radhës e Mançester Sitit

Inter e Milan më në fund gjejnë paqen, pas shumë javësh manovra nën rrogoz, pasi Mançester Siti u ka hyrë në mes dhe ka ndërmend t‘jua rrëmbejë Samuel Eto‘o-në. Klubi anglez është prej kohësh i interesuar për sulmuesin afrikan dhe ka pasur kontakte me menaxherin e tij, Hoze Maria Mesales, por nuk ishte ende e qartë nëse sitizensat dëshironin ta merrnin lojtarin pas një viti në parametrat zero, apo dëshironin të investonin për kartonin e tij. Hipoteza e dytë duket se po merr formë gjithnjë e më shumë. Drejtori sportiv, Geri Kuk, ka një mandat prej 33 milionë eurosh për të bindur kampionët e Evropës, ndërsa lojtarit do t‘i shkojnë 10 milionë ose ndoshta 12 milionë neto në sezon për katër vite. Një operacion që në total mund të kushtojë mbi 100 milionë euro për arkat e Sitit. Shifra të mëdha, të cilat konfirmojnë edhe një herë arsyen përse Eto‘o demonstroi në fund të maji dhe në fillim të qershorit një ftohtësi ekstreme për opsionin e një shkëmbimi të mundshëm me Ibrahimoviçin. Tek Interi ai nuk do t‘i merrte kurrë ato para (Morati po studion një plan për reduktimin e një mali rrogash dhe nëse do të ikte Zlatan, atë nuk do ta zëvendësonte me një lojtar me të njëjtën rrogë apo të përafërt). Ndërkohë që drejtuesit e Sitit mendojnë të formojnë një dyshe Eto‘o-Robinjo për sulmin e tyre, duket se braziliani përgatitet t‘u thotë lamtumirë anglezëve. Po zhvillohen tratativa për një kalim të mundshëm të tij te Barcelona, ku mund të zërë vendin e Eto‘o-së, pasi nuk është i lumtur në Mançester dhe do të largohej me dëshirë nga Premier League për një klub të madh të La Ligës (si Barça).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›