E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesi, lojtari më i shtrenjtë, vlerësohet 124 milionë euro

Në verën e rikthimit të Florentino Perez, që në krye të Realit të Madridit tronditi tregun e futbollistëve duke shpenzuar miliona euro për Kristiano Ronaldo dhe Kaka, është e paevitueshme të bësh llogari. Qendra e konsultave, "Frontier Economics", ka zhvilluar një studim të vlerës reale në merkato, të futbollistëve më të mirë në botë, duke bërë edhe klasifikimin e yjeve që kushtojnë më shumë. Rezultatet e publikuara nga "El Mundo Deportivo" tregojnë se Kristiano Ronaldo mund të jetë lojtari që mban rekordin e transferimeve në histori dhe futbollisti më i paguar, por vlerën më të lartë e ka kartoni i Lionel Mesit. Vlera komerciale e argjentinasit të Barcelonës, që me fitimin e Champions është kandidati kryesor për trofeun "Topi i Artë" dhe çmimin "Lojtari i Vitit 2009", kap shifrën 124 milionë euro. Plot 34 milionë më shumë se Ronaldo, i cili, sipas studimit, vlerësohet 90 milionë euro (4 më pak nga sa u ble prej Realit). Gjithmonë sipas "Frontier Economics", vendi i tretë në klasifikim i takon Zlatan Ibrahimoviç. Sulmuesi i Interit kushton 61 milionë euro dhe kjo justifikon kërkesat e larta financiare të Moratit për klubet e interesuara. I çuditshëm është vlerësimi për Kaka, që në studim renditet në vendin e katërt: braziliani kushton "vetëm" 44 milionë euro. Kjo shifër tregon se Milani ka bërë një lëvizje mjaft të zgjuar, duke e lejuar 27-vjeçarin të transferohej në "Santiago Bernabeu". Në fakt, për blerjen e tij të parë te Reali gjatë kësaj vere, Perez ka paguar rreth 23 milionë euro më shumë në arkat e klubit kuqezi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›