E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra, Maikon e Karvajo, një InterReal

"Do t‘i dorëzoj Hoze Murinjos një Inter Real", kishte premtuar Masimo Morati. Dhe tashmë duket se po ia arrin qëllimit. Mbi të gjitha sepse Zlatan Ibrahimoviç dhe Maikon duket se do të qëndrojnë në këtë skuadër edhe për sezonin tjetër.

Prurjet e reja

Me kalimin e ditëve do të perfeksionohet blerja e të riut Marko Arnautoviç, talentit 20-vjeçar austriak (me origjinë serbe) të skuadrës holandeze të Tventes. Klubi holandez synon një shitje sa më të shpejtë që të jetë e mundur tek Interi, për një shifër e cila mund të shkojë 10 milionë euro. Por krejt rastësisht u zbulua një frakturë në këmbën e djaloshit. Prandaj, tashmë bëhet fjalë për një formë huazimi me të drejtën për ta blerë pas gjashtë muajsh, nëse do të ketë një shërim bindës. Arnautoviç, nga ana e tij, ka shprehur tashmë preferencën e tij të madhe për zikaltrit. Një gjë e tillë nuk ka se si të mos influencojë në ecurinë e këtij operacioni. Ndërkohë që tani priten edhe lëvizjet e fundit në lidhje me blerjen e dyshes Karvajo-Deko. Çelsi është gati për tratativa dhe dëshiron ta mbyllë këtë çështje. Vetë trajneri Karlo Ançeloti u ka lënë rrugë të lirë lojtarëve. Për të dy, Interi ofron Burdizon, plus 4-5 milionë euro.

Revolucioni...

Milito e Thiago Mota janë blerë tashmë, priten Arnautoviç, Deko e Karvajo: pesë prurje të reja dhe një sërë lojtarësh gati për t‘u larguar. Ky mund të quhet një revolucion i vogël i Murinjos. Po, sepse në krahasim me sezonin e kaluar do të duhet të jenë plot 11 lojtarët që nuk do të zbresin më në "Apiano Xhentile" në mesin e muajit korrik. Ata që do të ikin janë: Adriano, Burdizo, Rivas, Figo, Krespo, Kruz, Jimenez, Vieira, Mansini, Obina e Bolzoni. Jo të gjithë e kanë braktisur tashmë skuadrën, por gjithsesi janë vënë në dijeni se nuk do të jenë më në planet e trajnerit Hoze Murinjo. Pra, nëse Maikon e Ibrahimoviç nuk do ta tronditin merkaton në rrugën "Vittorio Emanuele", Interi është faktikisht shumë pranë mbylljes zyrtare të merkatos së tij: 24 lojtarë (përfshi këtu edhe tre portierët), plus tre të rinjtë (Destro, Obi e Krhin). Gjithçka sipas dëshirave të "Serxhentit" Murinjo.

Alternativat

Një grup i kompletuar, me kualitete ndërkombëtare, i cili faktikisht mund të formojë dy skuadra të nivelit të parë: të dyja ekipet do të ishin thuajse teorikisht titullare dhe të denja për të konkurruar edhe në zonën Champions League. Mjafton të shikosh alternativat e formimit të një 11-sheje titullare, për ta kuptuar se çfarë "Formula uno" do të mundet të drejtojë trajneri më i paguar në botë, Hozeja nga Setubali. Lojtarët që ka në dispozicion mund të interpretojnë pothuajse çdo skemë: 4-3-3 (Zaneti përkrah Cambiasos dhe Muntarit, me Ibra-Milito-Baloteli në sulm), 4-4-2 (Zaneti e Kuarezma në krahë, Ibra e Baloteli në sulm) dhe "rombin" (Kambiaso përpara mbrojtjes, Stankoviç dhe Thiago në krahë, Deko pas shpatullave të dy sulmuesve). Dhe nëse mungon ndonjë gjë për të arritur Barcelonën, Mançester Junajtidin dhe Real Madridin, i takon Murinjos të bëjë detyrën e tij si duhet. Ndryshe, çfarë "Special one" do të ishte?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›