E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klodi vë në lojë banorët

Klodi tregon se ka rënë në dashuri me një djalë brenda në shtëpi. Ai thotë se ky djalë ka bërë një gjest që e ka bërë për vete, madje shton se edhe duart e tij i duken mjaft të bukura. Të gjithë qeshin dhe ngacmojnë njëri-tjetrin. Në fund, u zbulua se bëhej fjalë për një lojë nga ana e Klodit “Kam rënë në dashuri me njërin prej djemve”

Banorët e shtëpisë së “Big Brother” kanë rënë pre e lojës së ideuar prej Klodit. Ai u ka deklaruar atyre se ka rënë në dashuri me njërin prej djemve të shtëpisë dhe ka kërkuar një ambient romantik për t’i shprehur dashurinë djalit që deri në ato momente, sipas Klodit, do të qëndronte anonim. Kaq ka mjaftuar që në shtëpi të nisin reagimet dhe hamendësimet se kush mund të ishte ky djalë dhe se si do të reagonin djemtë nëse Klodi do të zgjidhte njërin prej tyre. Pas kësaj Klodi ka shkuar pranë Domenikës, i ka dhënë një lule dhe ka nisur të kërcejë, duke u lënë banorëve të tjerë të kuptojnë se kjo ishte vetëm një lojë.

Enxhi dhe Miri sqarohen

Enxhi duket mjaft e mërzitur dhe Jetmiri shkon ta ngushëllojë e i thotë që nëse ajo tregohet e duruar, do të jetë respekti më i madh që Enxhi mund të tregojë për të. Ai i citon “i duruari, i fituari”. Ajo i thotë “të kam shumë xhan” dhe ai i përgjigjet që nuk është e lehtë nga presioni që kanë, dhe i tregon që mbrëmë në darkë ka qenë shumë konfuz. Enxhi shprehet që ajo mendon se ai të tjera gjëra do e të tjera bën, pasi ndalohet nga rrethanat dhe ai pohon. Jetmiri i thotë që ai së shpejti do të shpërthejë dhe do t’ua tregojë të gjithëve ato që ka përbrenda. Enxhi duket shumë e prekur dhe përlotet pak. Jetmiri i lutet që të mos bëjë ashtu dhe ajo i thotë që i vjen shumë inat që ndikohet nga të tjerët. Ai i përgjigjet që nuk është ndikuar nga të tjerët, por këmbëngul që nuk mund të krijojë diçka me të. Ajo e pyet me insistim se përse nuk mundet, por nuk merr një përgjigje. Miri i thotë që ai ndihet shumë keq. Enxhi i thotë që nuk e kupton pse vazhdon të rrijë me Rezartën nëse mendon të tjera gjëra dhe shprehet se nuk mund ta durojë dot faktin që ai përqafon Enxhin e më pas shkon të flerë me Rezin. Jetmiri i thotë që e ka problemin me veten pasi për Rezin ka ndryshuar disi mendim. Enxhi shprehet se ajo është nën presionin e të gjithë banorëve që e pyesin se çfarë do të ndodhë mes saj e Mirit dhe pse në fillim ata nuk kanë dashur që ata të dy të jenë bashkë, pasi ia kishin frikën. Ajo kërkon të dijë nëse Miri është pozicionuar kështu sepse ndien, apo se nuk mundet të ndryshojë sjellje tani pasi e ka nisur atë lidhje me Rezin. Por përsëri Jetmiri i thotë që nuk i ndan dot këto dy gjëra dhe nuk mund të japë një përgjigje. Ai i thotë që të gjitha gjërat që po ndodhin po e bëjnë të ndihet keq dhe nuk di si t’i menaxhojë.

Klodi vërtet i dashuruar?

Klodi i tregon Enxhit se ka rënë në dashuri me një djalë brenda në shtëpi. Enxhi bëhet shumë kurioze për të ditur se cili është, por Klodi tregohet shumë misterioz. Ajo i kërkon që të paktën t’i japë një shenjë që ajo ta kuptojë, por ai është shumë i rezervuar. Enxhi i përmend disa emra djemsh, por sërish Klodi nuk shpreh asgjë, por i thotë se së shpejti do e marrë vesh, pasi do shprehet. Enxhi i lutet që t’i tregojë dhe e pyet nëse ai djalë është i lidhur apo jo dhe Klodi i përgjigjet se është pak e komplikuar. Enxhi nuk arrin që të zbulojë gjë. Banorët dalin të gjithë në kopsht dhe ndahen në dy grupe. Në të dyja grupet hapet kjo bisedë për Klodin, por askush nuk e di se cili është ai që Klodi pëlqen. Klodi tregon se ai djalë ka bërë një gjest që e ka bërë për vete, madje shton se edhe duart e tij i duken mjaft të bukura. Të gjithë qeshin dhe ngacmojnë njëri-tjetrin, sidomos vajzat ngacmojnë djemtë. Bledi shprehet duke qeshur se nga Klodi dy herë morën lajme jo të mira: njëra që vetëm djemtë ishin në nominim dhe tjetra se ai pëlqen një djalë. Djemtë pyesin njëri-tjetrin se çfarë gjestesh mund të kenë bërë ndaj Klodit, por askush nuk di të përgjigjet. Hakiu që ndodhet te grupi tjetër tregon se mund të jetë ai, pasi në mëngjes Klodi i kishte thënë se i pëlqente dhe nëse nuk do ishte i martuar, do e kishte ngacmuar. Banorët qeshin. Ata i thonë Klodit që të mos e marrë shumë seriozisht këtë gjë se mund të lëndohet, por Klodi ua kthen se edhe nëse nuk do krijojë lidhje, do i mjaftojë një bisedë dhe një kërcim romantik me të. “Vetëm Domenika e di këtë gjë, sepse e kuptoi nga vështrimi tek ai djalë”, shprehet ai dhe Domi i thotë të jetë i sigurt se ajo nuk tregon. Kjo bisedë diskutohet gjatë dhe ndër të tjera, Klodi shprehet se nuk ka guxim t’ia thotë, sepse ka frikë se si do e marrë ai person. Të gjithë janë kuriozë, ndërsa Klodi shumë enigmatik. Gjatë gjithë kohës ai flet seriozisht, duke mos u kuptuar nëse e ka lojë apo është e vërtetë.

Prova javore: vitet '80

Hakiu lajmëron banorët se duhet të fillojnë provën javore. Ata mblidhen të gjithë në dhomën e ndenjjes. Hakiu lexon përmbajtjen e zarfit me të dhënat kryesore për realizimin e kësaj prove. Banorët duhet të ndahen në dy grupe. Grupi i parë përbëhet nga Hakiu, Jetmiri, Ada, Erioni, Bertina dhe Bledi, të cilët duhet të krijojnë një etyd mbi bazën e këngës së grupit “Pink Floyd”, “Another brick in the wall”, këngë kjo që mishëron idenë e lirisë, barazisë dhe luftës antiracore. Grupi i dytë përbëhet nga Klodi, Olta, Seldi, Rezarta, Valoni, Enxhi, Domenika dhe Eduardi. Ata duhet të ideojnë një koleksion veshjesh bazuar në modën e viteve ’80, të cilën duhet ta paraqesin në një sfilitë, ku secili do bëjë rolin e modelit. Veshjet duhet t’i krijojnë kryesisht me veshjet e tyre ekzistuese dhe gjatë prezantimit do t’i bashkëngjisin edhe stilimin e flokëve apo make up-in e asaj kohe. Të dyja grupet veçohen dhe fillojnë nga puna. Ata japin ide dhe diskutojnë mbi mënyrat se si mund ta realizojnë sa më mirë këtë provë dhe mendojnë mbi materialet shtesë që mund t’u duhen. Në sfond është vendosur kënga mbi të cilën do realizohet prova që përsëritet vazhdimisht për t’u ardhur në ndihmë banorëve.

E vërtetë apo lojë?

Bledi dhe Olta diskutojnë për fjalët e fundit që po thotë Klodi se pëlqen njërin nga djemtë, madje ai po përgatitet që t’ia shprehë këto ndjenja. Ai po përgatit një ambient romantik që biseda të jetë më kuptimplotë e të përcjellë mesazhin e duhur. Ndërkohë Klodi nuk është shprehur ende se cili është ai djalë, por ua ka lënë surprizë për në momentin e duhur. Bledi e ka marrë seriozisht këtë gjë, ndërsa Olta i mendon të dy variantet: edhe atë se kjo mund të jetë e vërtetë edhe se Klodi po bën një lojë, ku ajo thotë se nëse është e dyta, e përgëzon për këtë gjë. Olta shton se ka ndërmend njërin nga djemtë, njërin që ajo nuk e pëlqen dhe shprehet se nëse është ai, atëherë kjo do jetë akoma më e bukur. Klodi bashkohet me ta dhe i kërkon Oltës që ta ndihmojë në përgatitje. Olta largohet dhe Klodi mbetet vetëm me Bledin. Ai shprehet se ndihet në siklet, madje ka dy ditë që e mendon se si do ia thotë atij djalit. Klodi duket shumë serioz në bisedë. “E rëndësishme është që unë të shpreh atë që ndiej”, thotë ai. Seldi ndihmon Oltën që të përgatisë një tavolinë dhe dy karrige, gati për takimin. Të gjithë preokupohen për takimin e rëndësishëm të Klodit dhe të gjithë japin ide se si ta rregullojnë e ta bëjnë sa më romantik atmosferën. Ndërkohë, Klodi shkon të vishet, ndërsa Edi, Seldi dhe Valoni komentojnë. Edi deklaron se nëse i thotë atij, nuk do ngrihet fare e nuk do shkojë. Seldi shprehet se nuk e ka problem, po ashtu edhe Valoni. Ndërsa Bledi shprehet se nuk e ka problem, madje edhe po t’i kërkojë puthje do ia japë. Edi pyet Hakiun se çfarë do bëjë dhe ai ia kthen po ashtu se do shkojë nëse është ai i përzgjedhuri. Klodi vjen dhe shprehet se i pëlqen atmosfera. Ai kërkon që njëra nga vajzat të luajë rolin e kamerieres dhe uron që “Vëllai i Madh” t’i vendosë muzikë.

Takimi i Klodit

Të gjithë banorët dalin jashtë dhe qëndrojnë përballë tavolinës ku do ndodhë takimi, përveç Mirit dhe Rezartës. Olta ka marrë rolin e kamerieres dhe “Vëllai i Madh” plotëson dëshirën e Klodit dhe vendos një muzikë romantike në sfond. Klodi ulet në tavolinë, ndërsa djemtë duken disi të tensionuar. Klodi shprehet se personi që do marrë në vallëzim do jetë ai. Merr një lule dhe afrohet te banorët ngadalë dhe u kërkon atyre një duartrokitje, sido që ta marrë ai person. Ai afrohet te banorët ngadalë dhe ndalon te Domenika, ku i dhuron lulen dhe e merr në vallëzim. Domi qesh, ndërsa të tjerët duartrokasin. Ai e merr në krahë dhe e çon te tavolina. Olta u mbush gotat dhe ata i tokin ato. Më pas ngrihen të kërcejnë. Ai i lidh sytë me shallin e tij dhe e merr sërish në krahë dhe pasi e shëtit nëpër oborr, të dy shtrihen në bar, larg syve të të tjerëve, ku qëndrojnë disa çaste e më pas kthehen sërish të kërcejnë. Pasi kërcejnë futen brenda në shtëpi, ndërsa të tjerët mbeten në kopsht, disa të habitur ende. Ata fillojnë të komentojnë. Seldi shprehet se ishte e paparë, ndërsa Bledi dhe Erioni mendojnë se mund t’i pëlqejnë edhe femrat. Klodi bashkohet me ta dhe tregon se ishte veç një lojë.

Bledi dhe Domenika flasin për Oltën

Bledi del jashtë në oborr dhe diskuton me Domenikën për Oltën dhe ndjenjat që ka për të. Edhe Domenika e këshillon që ai ta marrë Oltën e ta diskutojë me të këtë çështje, por ai shprehet se nuk po gjen asnjë mundësi për të ndenjur vetëm me të e për t’i folur. Ajo e këshillon që të mos i mbajë përbrenda këto gjëra, por të flasë se do ndihet më mirë. Bledi shprehet se janë disa persona që kanë një karakter euforik dhe kur shprehin diçka, e shprehin në këtë formë. Sipas tij, këto karaktere nuk i pëlqejnë, por i pëlqejnë ata që i marrin gjërat me qetësi. Ai tregon se ka parë si gjëra pozitive ashtu edhe negative tek Olta dhe kjo e ka çoroditur në mendime. Bledi tregon se Olta i ka thënë se i duhet kohë, por ai nuk e kupton se përse ajo qëndron larg, ndoshta nga opinioni, ndoshta nga frika, ose se nuk do ta lëndojë atë sepse e mendon ndryshe nga ai. Bledi shprehet se nuk është thjesht një ndjenjë e momentit, por do që ta njohë më shumë se kaq Oltën. Domenika mendon se ndoshta edhe kjo e frikëson atë, sepse të japësh fjalën është e rëndësishme. Bledi e aprovon këtë mendim, por shton se ajo ka një karakter provokativ e ndonjëherë një sjellje ekstreme që ai nuk e kupton.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›