E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro 2008

Edmond Tupja 

Shumica e meshkujve shqiptarë (shumëkush mëton se ka edhe jo pak femra) po ndjekin me kureshtje, emocione, tifozllëk e baste nganjëherë marramendëse kampionatin europian të futbollit. Fjala “kampionat” është bërë këto ditë më e përdorshmja në gojën, mendjen e kuletën e tyre: ndeshje pasditeve dhe darkave deri para disa ditësh, tani nga një në ditë deri sa të vijë çasti i mezipritur i finales. Kjo dukuri është tipike për mbarë Europën e ndoshta më gjerë, por ajo na bën të harrojmë përkohësisht se në Europë dhe, detyrimisht, në botën e sotme po zhvillohen edhe kampionate të tjera, më pak të gëzueshme dhe të ngarkuara dramatikisht me emocione tronditëse Sipas mendimit tim, këto kampionate do të ishte më mirë të quheshin “skampionate” sepse, të gjitha, ndonëse në nivele deri diku të ndryshme, kanë të bëjnë me skamjen. E kam fjalën për krizën energjetike, atë të naftës kryesisht, për krizën ushqimore që ka prekur me miliona njerëz, për krizën ekologjike (ndotjen e mjedisit plus ngrohjen e planetit), për krizën e besimit ndaj strukturave shtetërore kombëtare, ndaj organizmave ndërkombëtare dhe vendeve tejet të zhvilluara industriale që përpiqen të mbajnë pishtarin e demokracisë, për krizën ideologjike shoqëruar me shpërthimin e fondamentalizmave obskurantistë, dhe për të tjera kriza të natyrave të ndryshme sipas vendeve. Si në çdo kampionat europian, edhe në këto skampionate ka përplasje, por të një natyre dramatike, sepse hyjnë në lojë energjitë mendore e fizike jo vetëm të njëzet e dy lojtarëve, të dy trajnerëve dhe disa mijëra tifozë për çdo ndeshje, por e tashmja dhe e ardhmja, me një fjalë jeta e miliona dhe miliona njerëzve të dëshpëruar.
Në këtë kontekst, vetë titulli i shkrimit tim, Euro 2008, do të tingëllonte domethënës po t’i nënshtrohej një alkimie sintaksore fare të thjeshtë. Po shpjegohem:
Prej disa vitesh është bërë tashmë e modës, në Tiranë sidomos, që në tabelat e galerive të piktorëve të shkruhet jo “Galeri arti”, por “Art Gallery”, madje edhe “Art Galeri”; siç shihet, në këtë rast kemi ndikimin e strukturës angleze, sipas së cilës përcaktuesi paraprin të përcaktuarin. Meqenëse ky ndikim i anglishtes, që po dhunon strukturat e mirëfillta të shqipes, është bërë diçka e zakonshme që nuk ua vret fare as syrin as ndërgjegjen gjuhësore kombëtare piktorëve tanë të dalldisur me njëfarë të drejte pas parasë së turistëve të huaj, unë po marr guximin që ta shndërroj kuptimin e togfjalëshit Euro 2008 në frymën e të njëjtin ndikim: në vend që të them dhe të shkruaj Euro 2008 po them e po shkruaj 2008 Euro! Automatikisht, duke vepruar në këtë mënyrë, kaloj nga fusha e futbollit në atë të financës, të këmbimit valutor, të shitblerjes (kujdes: në fjalën shqipe “shitblerje”, “shit” nuk ka kuptimin anglez, në rregull?), pra edhe të çmimeve. Dhe, besomë, i dashur lexuesi im i vëmendshëm, se nuk janë pak për një shqiptar 2008 euro, aq më tepër për ata që janë të papunë ose që kaurdisen me pensionet e tyre mjerane (për një pensionist shqiptar që merr, le të themi, 12 000 lekë në muaj, pra, afërsisht barasvlerën e 100 eurove, bëhet fjalë për njëzet muaj pension!) dhe me të cilët shteti, shoqëria, krizat e lartpërmendura zhvillojnë skampionatin më dramatik e më të paturpshëm në botë.
“Ah! – do të thuash ti, duke lëshuar një psherëtimë të thellë, o lexuesi im i ndjeshëm – kështu e ka jeta (c’est la vie, siç thotë frëngu). Gjithmonë ka pasur të kamur e të varfër, të lumtur e fatkeqë, kampionate e skampionate!”. Ke të drejtë, do të ishte përgjigjja ime, por që një mjek në një qytezë  të humbur mes maleve të shpëtojë jetë njerëzish me mendjen, përkushtimin e duart e tij dhe të shpërblehet me një rrogë mujore prej 200-250 eurosh, ndërkohë që një “yll” futbolli merr as më pak e as më shumë se një milion euro në muaj, kjo më duket deri diku e padrejtë, sado që ky i fundit ta meritojë paranë e fituar me mendjen, përkushtimin dhe këmbët e veta.
Sigurisht që as lexuesi im, as unë nuk mund ta ndreqim botën shqiptare dhe aq më pak botën planetare, prandaj le të ndjekim kampionatin europian të futbollit dhe le të jetojmë, gjithsesi të shqetësuar dhe syçelët, skampionatin e dhi(mb)shëm të jetës shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›