E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Karla del Ponte, padi se shpifi për transplantet”

BURREL - Abdulla Katuçi nga fshati Gurrë e Vogël në Mat i kërkon shtetit shqiptar ta ndihmojë për të ngritur një padi penale kundër ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte. 

I moshuari e akuzon atë për shpifje, pasi shtëpia e tij është përmendur në librin me kujtime, të botuar nga ish-kryeprokurorja e Gjykatës së Krimeve të Luftës, ku citohej se në shtëpinë e tij, në vitet 1998-1999 është kryer transplant organesh për 300 ushtarë serbë, të kapur rob nga UÇK-ja. Sipas Katuçit, familja e tij është torturuar psikologjikisht me kontrolle inspektimi, për verifikimin e akuzave, sipas tij të pabaza të Karla del Pontes. “Meqë opinioni shqiptar dhe i huaj u fokusua në familjen time, pas hedhjes së akuzës nga Del Ponte, kërkoj heqjen e kësaj akuze me falje publike prej saj, si dhe sqarimin e opinionit publik mbi pastërtinë e familjes sime, nga këto hamendësime pa prova të saj. Nga kontrollet e ushtruara nuk u gjet asnjë provë, që të implikonte sadopak familjen time”, tha 74-vjeçari. Ai shton se, i madh dhe i vogël në familjen e tij nuk mund të harrojë kontrollet e bëra në shtëpi katër vite më parë nga prokurorë të Hagës dhe policë shqiptarë. “Në mes të dimrit na kanë nxjerrë të gjithëve jashtë, deri edhe fëmijën e vogël 2 javësh”. Ka pasur raste kur për dy net me radhë, nuk kemi mundur të futemi në shtëpinë tonë, pasi ajo ishte e dezinfektuar me solucione helmuese, në të gjitha dhomat e saj gjithmonë për arsye hetimi”, vijoi ai. Katuçi i është drejtuar Presidentit, Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit dhe Prokurores së Përgjithshme, që ta ndihmojnë për të hapur një padi penale kundër ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte, mbi akuzat e pavërteta të saj. Pas reagimit të Abdulla Katuçit, disa kohë më parë edhe ndërkombëtarët reaguan duke i cilësuar si të pavërteta shkrimet e Del Pontes ku bëhej fjalë për trafik të organeve të ushtarëve serbë nga Shqipëria.                                      r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›