E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në banesë, digjet fëmija 3-vjeçar

HAS – Flakët e një zjarri të papritur shkaktuan tragjedi në familjen Lusha në Has. Një fëmijë 3-vjeçar humbi jetën, pasi ndodhej i vetëm në shtëpi në momentin e rënies së zjarrit. 

 Sipas burimeve të policisë, ngjarja ndodhi në shtëpinë e Besnik Lushës në fshatin Nikoliq të komunës Golaj në Has. Rreth orës 08:00 janë pikasur flakët, të cilat brenda një kohe të shkurtër pushtuan godinën ku jetonin dy familje. Anëtarët e tyre kishin dalë për të punuar në tokat e tyre, ndërsa fëmijën e kishin lënë në gjumë. Kur konstatuan zjarrin ata kanë nxituar për të shpëtuar djalin e vogël dhe për të shuar flakët, por ka qenë e pamundur. Në mungesë të zjarrfikëseve nga Hasi është nisur një makinë nga Kukësi, por largësia dhe terreni i vështirë kanë bërë që mbërritja e saj të mos shërbejë për nxjerrjen gjallë të të miturit. Për ngjarjen e rëndë është ngritur një grup hetimor që po punon për shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa si pistë e parë dyshohet ajo e një shkëndije elektrike, provokuar nga luhatjet e tensionit të lartë. Veç humbjes së jetës së 3-vjeçarit, tashmë 9 anëtarë të dy familjeve do të qëndrojnë në qiell të hapur pas djegies së shtëpisë.                                                                 j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›