E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro 2012 nisin ethet per tifozet

Në Kiev nuk është vetëm orkestra presidenciale që gjallëron rrugët e këtij qyteti të vjetër e të madh ukrainas. Kjo ceremoni me një zog të madh fatsjellës dhe me vajza që brohorasin është vetëm një antipastë për atë që do të përjetojë kryeqyteti, me dhjetëra mijë njerëz që do të derdhen në trupin e tij dhe do ta mbushin me emocione të pafundme.
Siç ndodh zakonisht, një zonë e caktuar e qytetit është caktuar ekskluzivisht për tifozët dhe kjo ndodhet në Sheshin e Pavarësisë, një shesh që duket se e ka çdo kryeqytet i vuajtur i kësaj bote.

Tifozët holandezë janë gati dhe po ashtu janë tërësisht optimistë. Billi, Bos, Rik dhe Don flasin me një gojë duke thënë se “ne kemi skuadrën më të mirë, jemi më mirë sesa Spanja dhe Gjermania, edhe pse Spanja doli kampione e Europës dhe e botës dhe na mundi në finale. Ne do ta mundim Spanjën, do të mundim këdo. Ne jemi Holanda, jemi më të mirët”.

Holanda do ta luajë ndeshjen e saj të parë ndaj Danimarkës në grupin B, një përballje që pritet të jetë e shkëlqyer me dy ekipet që zakonisht kanë qenë përfaqësues të futbollist sulmues dhe plot me sharm.

Një zonë tifozësh është edhe në Varshavë të Polonisë. Ajo ka kapacitet për të mbajtur pa probleme dhe në mënyrë komode plot 100 000 tifozë, qofshin këta polakë, grekë, rusë, çekë apo të tjerë.

Kryeqyteti polak është krenar që ia ka arritur më në fund të jetë në të njëjtin nivel me të tillë si Parisi, Madridi, Londra, Berlini, Roma apo Vjena, për të mbajtur mbi vete përgjegjësinë e disa ndeshjeve në një kampionat europian.
Plot 6 ekranë gjigandë janë të instaluar në Sheshin e Paradave, ndërsa tifozët natyrshëm që do të vërshojnë nëpër gjithë rrugët e qytetit para se të mblidhen aty për të ndjekur ndeshjet. Bizneset në Varshavë natyrshëm që do të ndjehen mirë nga këta njerëz të ardhur shpesh nga larg dhe që janë blerës potencialë.

Në fund të fundit, kur vjen në një Europian, e ke ndarë mendjen se paratë që ke në xhep do t’i shpenzosh. Rëndësi ka që të kënaqesh dhe që të fitojë skuadra e zemrës, ose të paktën të të bëjë të ndihesh mirë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›