E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Euro Bank" kap tre persona me 3 mijë euro false



Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë dhe një sasi e konsiderueshme valute false është sekuestruar. Bllokimi i tyre është bërë gjatë një operacioni të koduar "Euro Bank", kur tre të arrestuarit po tentonin në një bankë që të këmbenin valutën false me para shqiptare. Policia tha se gjatë operacionit u arrestuan Hasan Bedri Dardha, 24 vjeç, Altin Ibrahim Plaku, 23 vjeç, dhe Hekuran Selman Curri, 25 vjeç. "Falë bashkëpunimit me Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit nr. 3 dhe nr. 6, u arrit të finalizohet ky operacion në afërsi të Rrugës së Kavajës", u shpreh policia. Sipas uniformave blu, ata u kapën gjatë momenteve të këmbimit të shumës së parave prej 300 dollarësh, që dyshohen të jenë të falsifikuara, në një bankë, në Rrugën e Kavajës. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj Ervis Dardhës, u gjet shuma e parave prej 2000 dollarësh, me prerje 100-she, që janë të falsifikuara. Nga hetimet rezultoi se këtë shumë dollarësh, Ervis Dardha ia kishte dhënë Altin Plakut dhe Hekuran Currit për t‘i këmbyer në bankë. Po ashtu, gjatë kontrollit të banesës së Plakut, u gjetën dhe u sekuestruan edhe 1250 euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Policia tha se ata akuzohen për konsumim të veprave penale të "falsifikimit të monedhave". Puna për thellimin e mëtejshëm të hetimeve apo identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale vazhdon. Për këtë çështje, nga ana e prokurorisë dhe drejtuesve të Policisë së Tiranës, po realizohet dhe po zhvillohet një punë e kualifikuar profesionale, në drejtim të saktësimit të origjinës të dollarëve e eurove false dhe rrugës së hyrjes së tyre në Shqipëri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›