E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli Pango, Ina Ramës: Jam gati të përballem

Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, i ka shkruar një letër Kryeprokurores Ina Rama, me anën e së cilës kërkon që të japë shpjegime për "rekrutimet perverse" në ministrinë që drejtonte. "Jam i gatshëm të paraqitem në çdo ditë dhe orë në Prokurorinë e Përgjithshme për të dhënë shpjegime në lidhje me hetimet që po zhvillohen për një regjistrim të transmetuar në televizionin ‘Top Channel‘", mësohet se thuhet në letër. Sipas saj, Pango kërkon që të japë shpjegime për të gjithë regjistrimin. Ndërkohë letra e Pangos ka mbërritur në zyrën e prokurores Anila Leka, e cila do të përcaktojë një ditë për të marrë në pyetje ish-ministrin e shkarkuar nga Kryeministri Berisha, disa minuta pas transmetimit në emisionin "Fiks Fare", ku Pango tentonte të kryente marrëdhënie seksuale me një vajzë që i kishte shkuar për punë. "Do të verifikojmë letrën e Pangos dhe më pas do të përcaktojmë ditën kur do të thirret për të dhënë shpjegime", thanë burimet nga grupi hetimor, i cili e ftoi disa javë më parë ish-ministrin që të paraqitej vullnetarisht në organin e akuzës, pasi imuniteti si deputet i pengonte hetuesit t‘i dërgonin një fletëthirrje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›