Shqipëria përfiton nga FMN nëse pranon krizën
Tani që 20 krerët e vendeve më të industrializuara i kanë dhënë rëndësi rolit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke e ngarkuar me detyrën e re të menaxhimit të 750 miliardë dollarëve, vëmendja rikthehet të marrëveshja që qeveria shqiptare mbylli në janar të vitit 2009. Aktualisht, vendi ynë nuk ka marrëveshje me FMN-në, por kjo nuk do të thotë që mungon e drejta për të kërkuar një copë nga "750 miliardëshi", pasi Shqipëria vazhdon të mbetet anëtare e Fondit Monetar. "Raportet në bazë të marrëveshjes së re kanë ndryshuar. Stadi ynë ekonomik nuk lejon që të marrim fonde për të luftuar varfërinë, pasi jemi vend në zhvillim. Me FMN-në nuk kemi marrëveshje, por raporte pasi jemi vend anëtar. Nëse ne do të kërkojmë pjesë nga fondi i miratuar sot (dje), nuk na ndalon askush", thotë për "Shqip" Zybi Hida, drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave. Hida, i cili ka qenë në stafin e FMN-së për dy vjet në Moldavi, i njeh mirë rregullat dhe detyrimet që lindin nga anëtarësimi në Fondin Monetar. "Nëse ne pranojmë të themi që jemi në krizë dhe kemi nevojë për mbështetje financiare, atëherë duhet t‘i paraqesin FMN-së provat, që lidhen me borxhin, deficitin e bilancit të pagesave dhe mungesës së mjaftueshme të valutës", shpjegon Hida. FMN-ja është një organizëm që u shërben rreth 185 vendeve të ndryshme të botës, të cilat japin kuotat çdo vit. FMN menaxhon këto shuma të krijuara nga kuotacionet e çdo vendi, ku bën pjesë edhe Shqipëria. "Në këtë rast na lind e drejta të kërkojmë mbështetje në çdo rast, nëse vërtetojmë që jemi në krizë", përfundon eksperti i politikave makroekonomike në ministri.