E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londra është shndërruar në një Breton Wood të ri?

Më në fund duket se e kanë marrë situatën seriozisht dhe mbi të gjitha për sa i përket çështjes së një sistemi të ri e të rreptë rregullator e mbikëqyrës. Por suksesi i marrëveshjes do të garantohet nga mënyra e zbatimit të saj. Takimi i G20 në Londër ka dhënë direktiva për një qëndrim më të detajuar në lidhje me rindërtimin dhe kontrollin e financave botërore në një përpjekje për të dalë nga kriza aktuale e mbi të gjitha për të parandaluar përsëritjen e një krize tjetër, për të njëjtat arsye. Nëntorin e kaluar, në takimin e tyre në Uashington, G20 e preku reformën e sistemit rregullator shumë kalimthi, ndërkohë që takimi i djeshëm ka qenë më i pasur me detaje konkrete dhe kjo sigurisht që ka kënaqur kërkesat e Gjermanisë dhe Francës. Liderët botërorë kanë rënë dakord për një sistem rregullator për fondet private, gjë që ndodh për herë të parë si dhe shndërrimin e Forumit të Stabilitetit Financiar, një grup informal i përbërë nga bankierët qendrorë të vendeve të pasura, në një bord mbikëqyrës të sistemit financiar global. Ky forum do të prezantojë propozimet dhe rekomandimet në mënyrë më të detajuar për rregulla më të rrepta ndaj kapitalit bankar, për mbikëqyrjen e pagesave të bankierëve dhe për prezantimin e një rregulloreje të re për bankat. Por zotimi i G20 për përmirësimin e sistemit mbikëqyrës e rregullator do të ishte i padobishëm në qoftë se nuk do të vendoseshin sisteme të mirëfillta e organizma për ta bërë një gjë të tillë. Po a mund të konsiderohet ky takim si një Bretton Woods i ri. Vitin e kaluar, Kryeministri britanik dhe Presidenti francez folën për krijimin e kushteve të një marrëveshjeje të re për funksionimin e financave botërore. Por në takimin e kaluar të G20 kjo gjë ra. Këtë herë situata është ndryshe, sepse nga takimi do të dalin disa ndryshime reale. Takimi parashikon shtrirjen e mbikëqyrjes dhe sistemit të ri rregullator në të gjitha vendet e G20. Por ndërkohë, Bordi i Stabilitetit Financiar nuk do të shndërrohet në një "polic botëror" me pushtet e fuqi për të korrigjuar e mbikaluar kompetencat e sistemeve mbikëqyrëse vendore. Në këtë situatë a duhet që bankat të kenë më shumë frikë? Një paketë rregullash të reja do ta vështirësonte ndërmarrjen e risqeve të mëdha nga ana e bankave, që do të thotë se njëherazi do të kufizohet edhe koeficienti i përfitimit. Komiteti i Bazelit i mbikëqyrjes së sistemit botëror bankar, si pjesë e punës së G20, do të prezantojë një paketë ndryshimesh për konsultim, para përfundimit të vitit, por ato nuk do të hyjnë në fuqi deri në gjysmën e dytë të vitit 2010. Po për sa u përket fondeve private të investimeve a janë parashikuar ndryshime të mëdha? G20 ka rënë dakord që të ndreqë mënyrën e funksionimit të fondeve të mëdha, që në takimin e nëntorit, por një reflektim më i thellë i shoqëruar me masa konkrete është pjesë e marrëveshjes së fundit të G20. Gjermania dhe Franca kanë "luftuar" prej kohësh për mënyrën e funksionimit të këtyre fondeve. Qendrat më të mëdha për menaxherët e fondeve janë Nju Jorku dhe Londra, ndërkohë që vetë fondet ndodhen në vende të tilla si ishujt Kajman. Në lidhje me këto fonde, Bashkimi Evropian do të dalë në fund të këtij muaji me një draft për vendosjen e një sistemi të ri në vendet e organizatës, por që ky sistem nuk do të hyjë në fuqi deri në vitin 2010-2011.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›