Euro= (N)euro + (m)euro + (s)euro
Kur monedha euro doli në tregun e përbashkët evropian, një nga synimet kryesore të saj ishte ngërthimi ekonomive të vendeve anëtare të saj. Hamendësohej që nëse ndonjë nga shtetet anëtare do të dështonte të mbahej fort ekonomikisht, ai vend do të mbetej në bisht për shkak të mangësisë garuese. Pikërisht kështu ka ngjarë më një sërë vendesh të Evropës së Jugut, kryesisht me Greqinë e Portugalinë. Në të dyja këto vende prodhimi është mjaft i ulët, ndërsa kostot e krahut të punës janë mjaft të larta, eksportet janë me pakicë, kurse importet me shumicë. Me keq akoma, financat publike të këtyre dy vendeve janë për të vënë duart në kokë, pjesërisht për shkak të arsyeve të sipërpërmendura, por duhet shtuar këtu edhe mungesa e etikës së administratës publike. Për më shumë se një vit, politikanët evropianë janë përpjekur të furnizojnë këto vende, kryesisht Greqinë, me burime financiere shtesë për shkak të defiçiteve të tyre buxhetore. Në të njëjtën kohë, edhe pse po gjen shtrat gjithnjë e më të gjerë ideja se këto transferta monetare nga vendet më të pasura drejt vendeve më të dobëta, përmes Fondit Evropian të Stabilitetit Financiar, zor të thuhet se zgjidhja volit afatgjatë. Përmirësimi i parë që duhet kryer lidhet me tkurrjen e shpenzimeve të prodhimit të këtyre vendeve, me qëllim që prodhimet e tyre të jenë më tërheqëse tek blerësit e vendeve me ekonomi të qëndrueshme si Gjermania, Austria dhe Holanda. Është më se e qartë se monedha euro është shndërruar në pengesë ndaj çdo lloj nisme të këtillë. Nëse vendet në vështirësi do të kishin pasur në përdorim monedhën e tyre vendase, zhvlerësimi i tyre do të kishte qenë një zgjidhje frytdhënëse. Sidoqoftë, me euron në përdorim, e vetmja mënyrë për të zvogëluar kostot e prodhimit është ulja e pagave. Le të përfytyrojmë për një çast se Greqia e ndan mendjen top për të ulur pagat me 20%. Sa e mundur do të ishte vënia në zbatim e kësaj mase? Është disi e lehtë të shkurtosh pagat e punonjësve të administratës publike, por si t’ia bësh vallë me ata të sektorit privat? Një tjetër pasojë e pakëndshme e zbatimit të këtyre masave do të ishte edhe tronditja që do të pësonte tregu i punës, sepse ulja e rrogave do të sillte edhe uljen e cilësisë së punës. Për rrjedhojë, kjo masë do të jepte efekt të kundërt, pasi tregu i punës në Greqi ka nevojë të ngutshme të përmirësohet që vendi të garojë me sukses në tregun gjerman, austriak e holandez. Ngado që ta kapësh, zgjidhje e vetme është shpërbërja e Eurozonës. Në vend të euros, na duhet të vëmë në përdorim tri monedha: neuro-n, meuro-n dhe seuro-n. Monedha seuro mund të përdoret në vende si Greqia dhe Portugalia, monedha neuro në vende si Gjermania, Austria dhe Holanda apo edhe vende me zhvillim te përafërt ekonomik me to, ndërsa monedha meuro do të përdorej në vende që ende nuk e kanë dëshmuar veten si vërtet të afta që t’i përkasin euros: për shembull, Irlanda, Franca dhe Spanja. Anëtarësimi në monedhën seuro duhet të bëhet mbi baza vullnetare, si dhe treguesit e vendeve që duan ta vënë në zbatim këtë monedhë duhet të jenë të tilla që borxhin publik ta kenë pjesërisht të zbutur. Ndërsa anëtarësimi në monedhën neuro duhet të kushtëzohet nga një mbikëqyrje e rreptë e respektimit të ngurtë të financave publike, tregut të punës dhe bilancit të pagave. A do të përbënte shpërbërja e euros “burimin e të gjitha krizave financiare”, siç na bën me dije ekonomisti amerikan Barry Eichengreen (apo siç mendojnë edhe shumë politikanë holandezë, kryesisht të spektrit të majtë)? Sipas kësaj teze, zotëruesit e llogarive bankare, duke ndjerë frikën e shndërrimit të euros në seuro dhe që normalisht do të kishte më pak vlerë, do të mësynin bankat që të tërhiqnin depozitat. Kështu, kriza bankare do të ishte e pashmangshme. Për të shmangur një krizë të tillë, presidentit të BE-së Herman Van Rompuy i duhet të mbajë ditën e premte një takim të fshehtë në Këshillin e Evropës. Natën e së premtes duhet që qarkullimi i kapitaleve në vendet e Eurozonës të jetë sa më i kufizuar dhe duhet rënë menjëherë në ujdi për ndarjen në tri zona me bazë monedhash: neuro, meuro, seuro. Me të gdhirë e shtuna, duhet që sa hap e mbyll sytë Banka Qendrore Evropiane të nisë shtypjen e monedhave të reja. Ndërsa ditën e diel në sabah, kamionët me kartmonedha t’i shpërndanin ato edhe në automatet e bankave, për të qenë hazër kur të feksë e hëna... Por vërtet që kjo do të ishte një ëndërr me sy hapur, pasi tamam-tamam, BE-ja nuk ka president. Herman Van Rompuy është thjesht zëdhënësi i Merkelit dhe Sarkozisë, të cilët janë të dy së bashku po aq të vendosur për ta mbajtur eurofamiljen të padivorcuar, sido që të vejë puna. Kështu që ankthi pa mbarim për nikoqirllëkun e euros në gjendje krize qenka e thënë të vazhdojë i tillë.