Kur të gjitha rrugët mbyllen
Dikur Enver Hoxha pati thënë se “Bar do të hamë e nuk dorëzohemi para imperialistëve dhe socialimperialistëve”. As serbët në veri, si duket, nuk e kanë ndërmend të dorëzohen. Për dallim, ata do të hanë “plazma” e nuk do të dorëzohen. “Plazma” po hanë edhe fëmijët tanë, edhe përkundër reciprocitetit famoz, i cili nën presionin korruptiv të bizneseve mbi qeverinë, arriti të tejkalojë edhe (mos)marrëveshjet e arritura në bisedimet famoze. Situata, tash për tash, duket më tepër komike, sesa tragjike. Në mes komedisë dhe tragjedisë qëndrojnë kontigjentet e KFOR-it. Po të mos ishte KFOR-i pakkujt do t’i binte ndërmend të qeshej në Kosovë. Jo vetëm veriu, por përgjithësisht Kosova do të ishte një tragjedi e madhe.
Nejse, situata është kjo që është: serbët e kanë rrethuar vetveten. Veriu i Kosovës ngjan në një kala mesjetare dhe për dallim prej këtij imazhi, aty nuk janë të vetërrethuar vetëm serbët me strukturat paralele të Serbisë, por edhe vetë institucionet e Kosovës edhe vetë kampet e KFOR-it. Edhe EULEX-i sillet vërdallë i zënë në grackë. Lëvizja zhvillohet kryesisht me helikopterë dhe rrugëve krejtësisht alternative. Edhe taktikat që aplikohen nga të dy anët duken mesjetare. Kush do të lodhet i pari. Kush do të dorëzohet pasi të jenë mbyllur të gjitha rrugët. “Gjeneral Buldozeri”, si e quajtën me përkëdhelje mediet tona, iku me meritat se i hapi rrugët me një marrëveshje të paqartë. Pas ikjes së tij, falë kësaj paqartësie, situata u kthye prapa. Kushedi se për çfarë arsye m’u kujtua një tregim i shkurtër, morali i të cilit mund t’i hynte shumë në punë politikës dritëshkurtër dhe arrogante të qeverisë kosovare, e cila nëse Zoti u jep afat, do të arrijë të njollosë edhe synimet më liridashëse të këtij populli. Më e keqja prej imazhit për një popull të urtë dhe fisnik, do të na e krijojë imazhin e një vendi të vogël, grindavec, luftënxitës dhe të paaftë për t’u vetëqeverisur. Tregimi flet për erën dhe diellin që po bënin garë se kush do të arrijë më parë të shtyjë një plak atje poshtë, të heq pallton e leshtë, të rënduar nga shiu, që e bënte të kërrusej nga pesha e saj. Thuhet se era kishte provuar të detyronte plakun të heq pallton duke fryrë me sa fuqi kishte dhe kishte ngjallur vetëm rezistencën e tij, plaku ishte mbështjellë edhe më shumë me pallton e tij të leshtë. Ndërkohë që dielli kishte përdorur metodë tjetër dhe duke e ngrohur atë e kishte bindur se s’ka nevojë për pallto leshi nëpër atë vapë.
Edhe sot e kësaj dite, ndër serbët dhe popujt tjerë në Ballkan, ekziston një ide që po të kishte ardhur në pushtet politikani Ivan Stambolliq, në vend të nacional-socialistit Millosheviq, mbase Jugosllavia do të ekzistonte ende në ndonjë formë ose së paku do të ndahej pa luftërat e përgjakshme mes popujve sllavë dhe të tjerëve. Qasja e diktatorit Millosheviq ndaj popujve të tjerë ishte e egër, arrogante, ultimative. Duke futur nën kontroll të plotë armatën jugosllave, bashkë me strukturat e spiunazhit civil dhe ushtarak, ai startoi duke treguar muskujt në drejtim të pjesës tjetër të ish-Jugosllavisë dhe arriti ta mobilizojë atë kundër vetes së tij. Duke hyrë në luftë me të gjithë, e përgjaku edhe popullin e vet, e veçanërisht popujt tjerë. Arritja e tij më e madhe, e cila me gjasë edhe do t’i njihet në histori, ishte shkatërrimi i besimit mes “kombeve dhe kombësive” të ish-Jugosllavisë federale të konjukturuar në bazë të interesave të botës së ndarë në blloqe. Ai i kishte mbyllur të gjitha rrugët.
Çka po ndodh me serbët e vetëbarrikaduar nga të gjitha anët. Një video e plasur në internet tregon për një pitzgauer të EULEX-it që ndiqet nga një veturë e strukturave paralele dhe në fakt tregon sjelljen e tyre të hutuar brenda barrikadave serbe. Ata thjesht sillen në rreth, dhe ndjekësit po pritnin derisa të harxhojnë karburantin dhe detyrimisht të ndalen. Helikopterët që bartin doganierët dhe policët kosovarë për çdo ditë fluturojnë mbi kokat e qytetarëve serbë në barrikada. Doganierët dërgohen atje për të ndenjur, sepse në këto dy pika nuk ka qarkullim, nuk ka punë për ta. Ngjashëm ndodh edhe me policinë, e cila në fakt nuk ruan asgjë, sepse për sigurinë e saj kujdeset KFOR-i.
Se qeveria nuk e kontrollon as pjesën tjetër, jashtë veriut, tregon fakti se në Merdar, dhe vendkalimet tjera në lindje, me qindra kamionë me mallra serbe hyjnë pa pengesë në Kosovë. Dhe, asnjë në drejtim të kundërt. Qytetarët e hutuar tashmë nuk po kuptojnë çka po ndodh. Kjo tashmë ka marrë karakter të luftës ekonomike mes grupeve të kontrabandistëve, ku ata nuk kanë qasje. Krejt loja me rrethimin e serbëve nëpër barrikada e shpalos një synim, i cili duket i ngjashëm me rrethimin e kështjellave mesjetare. Llogaritet në motin e lig, në lodhjen e të barrikaduarve, në mungesat në ushqime, në mbylljen e rrugëve alternative. Ajo që po harrojnë “strategët” është se ata po tentojnë dhe ka shumë gjasë të arrijnë të shndërrohen në viktima. Derisa botës së qytetëruar, dikur përkundër të drejtës ndërkombëtare nuk i bënte aspak për sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë kur kosovarët filluan të shihen si viktima të një diktature të egër, ata nuk do të shqetësohen as për integritetin territorial dhe sovranitetin e një vendi, i cili ende pa u njohur plotësisht po tregon dhëmbët e një diktature primitive dhe nuk po arrin të ofrojë zgjidhje evropiane.
Ndërkohë, po qarkullojnë edhe barcoletat e para, të cilat tash i tregojnë ministrat, të cilët edhe ashtu nuk kanë tjetër punë. Njëkohësisht, qeveritarët në Prishtinë dhe Beograd, të paaftë të zgjidhin kriza, po i krijojnë të reja dhe po i mirëmbajnë ato ekzistueset.