Fatkeqësia e Shqipërisë dhe përgjegjësit e kësaj ploje
Kur para shumë vitesh paraqita shumë shkurt një artikull të hollësishëm të Indro Montanelit, në të cilin autori, një publicist nga më të njohurit në Europë, shkruante në mënyrë mbresëlënëse për perversitetin familjar të Karl Marksit, pata kundërvënien e dy të njohurve të mi të hershëm. Ata ishin intelektualë, por të dehur nga vepra mashtruese me titullin “Xheni Marks”. Në këtë shkruhej me patos për marrëdhënien “idiliake” të çiftit Marks. Ç’është e vërteta ata miqtë e mi, shokë klase në gjimnaz, me prejardhje familjare të majtë, tani janë pensionistë me mendime të ndryshuara. Si lexues librash të huaja, që tani gjenden kudo, ata kishin kthjelluar mendimet e tyre nga librat e shumtë me frymë demokratike që u dërgonin bijtë emigrantë. Dje, sapo ngjitja shkallët dhe gjendesha pranë biletarisë së Operës, më ftuan për kafe dhe më thanë se kishin lexuar në “55-n” “Në shtëpi me Karl Marksin” nga Simon Sebag Montefiore .
-Të kujtohet kur na fole për Leikenin, atë punëtoren e pastrimit të shtëpisë së Marksit të cilën ky e kishte lënë me barrë? Djali i braktisur ishte rritur si të mundej dhe ishte aktivist i lëvizjes sindikaliste. Madje edhe orator i talentuar. Por i ati as që donte t’ia dinte për të!
Tjetrit i kujtohej nga shkrimi i “55-s” se Xheni mbeti si njeriu i vetëm që u desh të përballohej me egoizmin e të shoqit. I kujtohej edhe se bashkëshorti i saj ishte i dhënë pas luksit (me paret e Engelsit) si edhe thashethemeve dhe qé tërheqës për gratë. Ishte i shfrenuar dhe i shthurur...
***
Tani qysh prej asaj periudhës me vlera epokale, që i dha fund iluzioneve për Stalinin, gjysmëshekulli më parë, nostalgjia e diktaturës është përmbyllur vetëm në pak vende që mund të numërohen më gishtat e dorës: Në Korenë e Veriut, në Kubë, në ndonjë vend të Amerikës latine dhe pjesërisht në Kinë, se kinezët nuk ia kanë më ngenë më Maos.
Në Europë, i vetmi vend që nuk e çrrënjosi dot mendësinë enveriste, është Shqipëria.
Fajtori numër një për këtë fatkeqësi kombëtare, është Edi Kristaq Rama.
Me ambicie të pakufizuar për pushtet, ai doli në vitin 1991 si antikomunist me fletë. Ata që kanë lexuar “Refleksionet” habiten me marrëzitë e tij ekscentrike, gjer te nxjerrja jashtë ligjit e PS-së, gjer te mendimet për varje në litar të komunistëve, gjer në tërbimin e veteranëve për ekzistencën e luftës civile. Kemi pas nxjerrë nga ky libër i Haxhi pishmanit, citate zellesh stratosferike. Mund të vazhdojmë : “Shifrat e terrorit komunist janë jashtëzakonisht të mëdha (...) prandaj është e pamundur harresa. Ndrydhja e kujtesës kombëtare na bën të mos ndahemi dot nga e kaluara, që do të na mbajë gozhduar porsa s’kemi bërë katarsisin e vërtetë historik” (f. 181). Me kë ta bëjmë katarsisin? Me Edvinin? Cili po i mban nën strehë mëkatarët e enverizmit? Kush është përgjegjësi i ekzaltimeve të diktatorit në Pezë, me përjashtim të këtij viti, që të mos dalë antiamerikanizmi dhe antieuropianizmi i ekstravagantit Edvin?
Ky libër është vënë dy pashë nën dhé nga vetë E. Rama! Por ajo që shkruhet nuk varroset dot. Në faqen 132 kemi kërcënimin me vdekje të këtij “antikomunisti” që na e paskësh mbushur kupën: “Ne, anëtarët e organizatës dragonjtë e kuq të Smokthinës, ju paralajmërojmë se po të vazhdoni që të rishikohet figura e Enver Hoxhës, do të dënoheni me vdekje pa të paralajmëruar më (...). Do të përdorim metoda bashkëkohore, si aksident automobilistik, thika, leva prapa koke, verbim me acid, cianur potasi, revolver Beret, rrëmbim fëmije, gruaje (...) Pasi ta hapni letrën mos guxoni të hapni gojën sepse pas pak ditësh do të vdisni”. Ka edhe një shënim për bashkautorin e librit, Ardian Klosin: “ O Ardian Klosi! O maskara! O armiku i mutit. Merr dollarë nga Bushi, ti...” etj. që nënkuptohen! E përmendëm edhe numrin e faqes së këtij kërcënimi.
***
Në librin e Dyfejisë (Dufay), me titullin „Udhëtimet çnderuese të shumë letrarëve“, përmenden shkrimtarë të talentuar që kanë rënë nën grackën e udhëtimeve qyl në B. Sovjetik të Stalinit. Komunizmi i dalldisi në ëndrra shumë breza (gjenerata) shkrimtarësh, - thotë autori. Dhe vazhdon: “Në një foto të vogël shoh në “Paris Match” Zhan-Pol Sartrin me Çe Gevarën, në Kubë. Në tjetrën, Sartri dhe Simona dë Bovuar, janë për vizitë te Mao Ce Duni. Por në këtë fotografi ndodhet edhe ky shënim: “Nuk i kemi parë të protestojnë kundër kampeve komuniste të përqendrimit. Në Rusi, në Pekin apo në Havanë, në ëndrrat e ëndërrimtarëve, është fshehur ferri”,- shkruhet nën një foto tjetër. Veçse Sartri e të tjerët që merren në gojë në këtë shkrim, i thirrën trurit më vonë.
Do të shtoja se komunistët tanë shqiptarë kanë përfituar nga kjo psikozë majtiste e mostrajtimit objektiv dhe të paanshëm të krimeve të komunizmit. Kështu vërejmë shkrime historike me doktrinarizmin e dikurshëm, me prirjen për ta bërë historinë vijimisht sipas shabloneve komuniste, me etjen për të zhbërë krimet e enverizmit, duke mohuar genocidin, me guximin për ta rehabilituar enverizmin gjer në muret e institucioneve zyrtare dhe me falsitetin se majtistët tanë rreth Edvinit janë properëndimorë dhe proamerikanë!
Por a është i besueshëm E. Rama? Aq sa mund të jetë i besueshëm një aventurier politik! Sot nuk gjen asnjë vend të botës demokratike me një mentalitet pro diktaturës, si në vendin tonë. Në cilin vend, pas ndërrimit të sistemeve, gjen propagandë komuniste, të shitur si memorialistikë? Në “Kujtimet” e Nexhmijes me titullin “Jeta ime me Enverin” (botim i vitit 1998) shkruhet, në f. 271: “Unë kam besim se do të vijë koha që studiues e historianë të rinj do të interesohen të njihen me dokumente që flasin për lidhjet e Enver Hoxhës me njerëzit dhe për humanizmin e tij” (!).
Dokumente që flasin për humanizmin e Enverit! Njëri ndër këto dokumente, i shprehur në fac simile, madjé, udhëzon shtabet partizane të veriut, që të grabitin Llazar Fundon” dhe, pasi ta torturojnë, ta vrasin!”. Kjo e revoltoi në kulm Fan Nolin, që e vlerësonte Llazarin për kulturën e tij të gjerë dhe për patriotizmin e tij. Si antifashist, Llazar Fundo kaloi nga burgjet e Ventotenes. U zhgënjye si anëtar i Internacionales dhe u angazhua me forcat patriotike të Kryezinjve (në Kosovë), kundër okupatorëve. Për ç’faj u dashka torturuar para se të vritet një ish-komunist idealist si Fundo, që urrehej kaq shumë nga E. Hoxha? Ky është humanizmi i këtij të fundit?
Është thënë (dhe e përsërisim) se nga njerëzit me emër të kulturës, janë zhgënjyer nga komunizmi dhe janë bërë demokratë të mëdhenj. Kemi përmendur edhe nobelistë të tillë. Por nuk njihet, veçanërisht në ditët e sotme, asnjë intelektual i vërtetë që të kalojë, pas ndërrimit të sistemeve, nga antikomunist, në komunist. Bëjnë përjashtim, në vendin tonë disa proselitë që ia kanë shitur shpirtin djallit!
Përjashtim skandaloz bën Edi Rama, me kontributin e tij që ta mbajë gjallë dhe të pacenuar atë mendësi rrënimtare, enverizmin. Argumentet për këtë të vërtetë janë të panumërta. Nuk do të përsëritim veçse njërin: të gjithë gjynahqarët e diktaturës, të gjithë mëkatarët e papenduar, i ka brenda, në partinë e tij. Aty janë edhe ata smokthinjotët, që e kishin dënuar me vdekje (!).
Me një inkoherent të paparë si Edvini, kjo ka logjikën e vet. Në antonimet “ i kapuri – kapësi”, ai është edhe i kapur , por edhe i ka marrë peng të parët. Në prioritetet e BE-së për të marrë statusin për aderim në atë komunitet, ai është i detyruar që të heqë dorë nga kërkesa të kushtëzuara për një marrëveshje. Ndërkaq përpilon dhjetë kushte! Kushtëzime të cilat e vënë në rol të batakçiut: Ma jep pushtetin (e humbur) në tavolinë, të të jap votimin e cilësuar. Pa përmendur të tjerat! Djallëzori kërkon të shtiret edhe si proeuroatlantik. Por a është e tillë ajo hordhi enveristësh, ndaj të cilëve ai është i kapur?