E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi japonez, i ftuar të investojë në Shqipëri

29-09-2011 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë Sali Berisha takon ambasadorin japonez në Tiranë, Masaharu Kohno

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim ambasadorin e ri të Japonisë në Shqipëri Masaharu Kohno, me rastin e marrjes së detyrës. Duke e uruar z. Kohno për detyrën në Shqipëri, Kryeministri Berisha vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe i shprehu ambasadorit Kohno mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën që qeveria Japoneze i ka dhënë Shqipërisë në këto 20 vjet, duke theksuar faktin se Japonia mbetet një ndër donatorët e rëndësishëm në Shqipëri.
Falë ndihmës bujare të qeverisë japoneze, tha Kryeministri, në Shqipëri janë realizuar projekte me impakt të ndjeshëm si në infrastrukturë, duke veçuar projektin prej 100 mijë dollarë për sistemin e kanalizimeve në Tiranë, projekti i rrugëve dytësore-rurale, projekti i përmirësimit të pajisjeve  të qendrave të emergjencës spitalore, në fushën e agrobiznesit etj.
Ambasadori Kohno e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehu vlerësimin e qeverisë së tij për arritjet e Shqipërisë, nën lidershipin e Kryeministrit Berisha.
Në takim, Kryeministri Berisha dhe ambasadori Kohno shprehën angazhimin dypalësh për të thelluar e zgjeruar bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve.
Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të shkurtër të zhvillimit ekonomik të vendit dhe klimës së favorshme për investime dhe ftoi kompanitë japoneze për të ardhur për të investuar në Shqipëri, duke theksuar se do të gjejnë mbështetjen e qeverisë shqiptare për t’i kthyer investimet e tyre në histori suksesi.
Ambasadori Kohno siguroi se qeveria japoneze do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të zhvillimit, si dhe për angazhimin e tij në inkurajimin e investitorëve japonezë për të investuar në Shqipëri në fusha me interes të përbashkët si në infrastrukturë, në energjetikë, në bujqësi etj..
Topalli, Kohno: Shqipëria dhe Japonia, dy vende mike që po intensifikojnë bashkëpunimin/Edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti në takim ambasadorin e Japonisë për Shqipërinë, Masaharu Kono. Forcimi i bashkëpunimit ekonomik, politik e kulturor, shkëmbimet tregtare, promovimi i turizmit shqiptar, projekte investimesh në infrastrukturë, energjetikë, por dhe naftë, ishin disa nga temat kryesore ku dy personalitetet u ndalën kryesisht.
Pasi uroi mirëseardhjen, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Japonia i ka ofruar Shqipërisë ndër vite përmes projekteve të rëndësishme që kanë ndikuar në zhvillimin e vendit. Ambasadori Kono vlerësoi zhvillimin e vrullshëm të Shqipërisë në vitet e fundit ndërsa shprehu vullnetin për intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Ai vlerësoi potencialet e jashtëzakonshme që Shqipëria ofron në fushën e turizmit ndërsa e cilësoi si të rëndësishëm faktin që sa më shumë japonezë të vijnë dhe të vizitojnë Shqipërinë për tu njohur me resurset e saj turistike.
Duke bërë një ekspozim të progresit të reformave, kryetarja e Kuvendit u ndal tek modeli i suksesshëm ekonomik që ka adaptuar Shqipëria, një model që siç vlerësoi ajo, arriti t’i mbijetonte krizës financiare botërore duke shënuar rritje të pandalshme ekonomike si dhe stabilitet makroekonomik.
Nga ana e tij, ambasadori japonez shprehu vlerësimet e tij për performancën ekonomike të Shqipërisë duke theksuar se është një ndër të paktat vende të cilat kanë përballuar me sukses vështirësitë nga kriza financiare që preku botën.
Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord për shkëmbimin e eksperiencave parlamentare në të gjitha nivelet. Kryetarja e Kuvendit i përcolli ambasadorit Kono ftesën drejtuar Kryetarit të Parlamentit të Japonisë për të zhvilluar një vizitë në Tiranë. Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen ndaj Japonisë për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›