“Aleanca për Qytetarin” fiton Këshillin e Qarkut të Tiranës

Tahsim Mema nga koalicioni i djathtë rikonfirmohet me 73 vota “pro” në krye të qarkut të Tiranës
“Aleanca për Qytetarin” do të drejtojë edhe për një tjetër mandat këshillin e Qarkut të qytetit të Tiranës. Tahsim Mema është rizgjedhur në krye të këshillit, pas konstituimit të kësaj strukture, duke marrë edhe votat e majta. Këshilli zgjodhi edhe kryesinë në të cilën për herë të parë në historinë e saj, përfaqësohen të dy koalicionet. Tahsim Mema nga Partia Demokratike në koalicion me LSI-në, fitoi me 73 vota “pro”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili edhe thërriti mbledhjen e Këshillit të Qarkut të Tiranës, pikërisht për zgjedhjen e strukturave të reja të këshillit të qarkut, i ftoi të zgjedhurit lokalë që të punojnë në emër të interesit të qytetarëve, duke ofruar i pari angazhimin për një vizion të përbashkët për Tiranën dhe mbarë qarkun.
“Unë ju siguroj për angazhimin tim të plotë dhe u kërkoj angazhimin tuaj për një bashkëpunim sa më të frytshëm gjatë kësaj mbledhjeje, në shërbim të interesave të qytetarëve të qarkut tonë, të cilët na kanë zgjedhur mbi të gjitha jo për ngjyrat politike që përfaqësojmë ose që përfaqësuam gjatë fushatës, por për një shërbim sa më të mirë sa më të shpejtë, efikas, dinjitoz ndaj interesave të tyre të përditshme, por dhe interesave të tyre afatgjatë”, u shpreh kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha.
Ai kërkoi bashkëpunimin e përfaqësuesve të Këshillit të Qarkut për të siguruar atë që meritojnë banorët e qarkut më të rëndësishëm të Shqipërisë.
“Çfarëdo që gjithsecili prej nesh të zgjedhurve vendorë të arrijë të bëjë veç e veç, vetëm duke punuar së bashku ne mund të çojmë përpara projektet ambicioze, vizionin largpamës, për të cilin jemi përkushtuar para zgjedhësve tanë më 8 maj. Tirana e madhe, ky koncept, ky vizion, i cili ngërthen në vetvete shtrirjen e bulevardeve të zhvillimit ekonomik, shoqëror, turistik, mjedisor, por dhe bulevardeve fizike, infrastrukturës së re, transportit publik me mjete moderne, do të jetë e pamundur nëse ajo nuk do të ndodhet në shpirtin, mendjen dhe punën e përditshme të këshillit të qarkut”, tha Basha para anëtarëve të qarkut.
Anëtarët e Këshillit të Qarkut votuan me 73 vota “pro”, 3 abstenim dhe 1 kundër, për kryetar të këshillit Tahsim Mema.
Nënkryetar u zgjodh Korab Lita po nga radhët e “Aleancës për Qytetarin”, me 65 vota “pro” dhe 2 abstenim. Këshilli i qarkut të Tiranës përbëhet nga 84 anëtarë.
Koalicioni djathtë në zgjedhjet e 8 majit arriti të sigurojë 67 vende, ai i majtë përfaqësohet me 16 të zgjedhur, ndërsa një anëtar i këtij këshilli është i pavarur. Ishte unike që në Kryesinë e Këshillit të Qarkut, u zgjodhën përfaqësues nga dy koalicionet e mëdha politike, Aleanca për Qytetarin dhe Aleanca për të Ardhmen.
Kryesia u zgjodh me 64 vota pro dhe 2 kundër. Anëtarët e Kryesisë së Këshillit u zgjodhën; Ferdinand Poni, Shezai Rrokaj, Xhelal Mziu, Fiqiri Ismaili, Enver Reçi, Fatbardh Plaku, Ndriçim Dushku, Lulzim Basha, dhe Njazi Kosovrasti.