Euro dhe Timoshenko
Ukraina është në festë, por një pjesë e saj është e zymtë. Një nga vendet organizatore të Euro 2012 ka edhe problemin e ish-kryeministres Julia Timoshenko që është e burgosur dhe ky dënim cilësohet si politik nga Perëndimi. Ministri i jashtëm gjerman, Guido Vestervele, është i qartë.
“Me gjithë entuziazmin që ndjejmë për sportin, me gjithë entuziazmin për festivalin e madh, ne nuk duhet të harrojmë fatin e Julia Timoshenkos dhe të udhëheqësve të tjerë opozitarë të burgosur. Ne bashkohemi me ndjenjat e tifozëve të futbollit, por nga ana tjetër nuk duhet të na shpëtojë nga vëmendja situata në Ukrainë”, shprehet Vestervele. Thirja e ministrit gjerman është shumë e thjeshtë.
“Unë vazhdoj të bëj thirrje për trajtimin e duhur mjekësor dhe kushtetues të Zonjës Timoshenko dhe të burgosurve të tjerë. Edhe në ditë të tilla është mirë të kujtohemi për këtë gjendje politike”, thotë ai.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bojkotuar ndeshjet e kombëtares së saj pikërisht për shkak të kësaj burgosjeje dhe ky veprim është vlerësuar nga opozita në Ukrainë.