Franca fton Abidal

Për ndeshjen e tretë në Grupin D kundër Suedisë, Franca do të përforcohet me Erik Abidal. Federata transalpine i ka dërguar një ftesë mbrojtësit të Barcelonës, që të jetë i pranishëm në stadiumin e Kievit, për ti treguar që ai mbetet pjesë e Kombëtares së “gjelave”.
Në muajin prill, Abidal iu nënshtrua një transplanti në mëlçi. Nëse mjekët do të thonë se lojtari 32-vjeçar është në gjendje të udhëtojë, atëherë ai do ti bashkohet përfaqësueses, në atë që duket më tepër se thjesht një vizitë simbolike. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti i Federatës Franceze, Noel Le Gret, ndërsa prezenca e mbrojtësit që numëron 61 ndeshje me përfaqësuesen do të shërbejë si një armë më shumë në aspektin psikologjik.
“Nëse doktorët do ti japin dritën jeshile, ne e kemi planifikuar një udhëtim të Abidal drejt Ukrainës. Ai do të niset nga Barcelona në mëngjes dhe do të jetë pasdite në Kiev. Lojtari do të qëndrojë gjatë gjithë mbrëmjes me ekipin dhe më pas do të kthehet në shtëpi të nesërmen. Erik po përmirësohet dhe dëshironte të ishte pranë skuadrës: për këtë arsye ne po bëjmë të pamundurën që kjo të realizohet”, deklaroi ai.
Më tej, kreu i FFF-së, ka folur edhe gjestin e Samir Nasri. Mesfushori që shënoi golin e barazimit 1-1 përballë Anglisë, e festoi rrjetën duke vendosur gishtin përpara gojës, për të dhënë mesazhin “heshtni”. Në fund të sfidës, Nasri konfirmoi se ai iu drejtua gazetarëve, pas kritikave të shumta nga mediat përpara startit të Euro 2012. Le Gret tentoi të zbuste tonet, duke e mbrojtur lojtarin dhe pavarësisht se e cilësoi veprimin të papërshtatshëm, theksoi se goli i Nasri ishte më i rëndësishëm se gjithçka ndodhi.