E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA gjobit me 120 mije euro Federaten Ruse

Supergjobë me vlerë 120 mijë euro dhe një penalizim me 6 pikë në grupin kualifikues të euro 2016 në rast se skenat e dhunës do të përsëriten. Kjo është masa e marrë nga Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s për Federatën Ruse të Futbollit, pas skenave të dhunës në Varshavë, përpara dhe pas takimit Poloni-Rusi, e vlefshme për raundin e dytë të ndeshjeve në Grupin A të euro 2012.
Episodet e dhunës dhe incidentete që shoqëruan ndeshjen Poloni-Rusi kanë sjellë reagime të ashpra nga autoritetet polake. Fillimisht ata kanë vlerësuar punën dhe reagimin e policisë ndaj përplasjeve në Varshavë, rreth stadiumit “Nacional” por edhe në një shesh të dedikuar për tifozët, ndërsa janë kërkuar masa të ashpra ndaj shkaktarëve të skenave të turpshme.
Përplasjet nisën në momentin kur tifozët rusë po shkonin nga qendra e kryeqytetit polak drejt stadiumit dhe u provokuan nga një grup fansash polakë, ndërsa nuk munguan edhe incidentet me policinë, ku u plagosën 10 oficerë. Kryebashkiakja e Varshavës, Hana Gronkjevjitsh Valts kërkoi nga gjykata dënime maksimale.
“Fillimisht doja të falënderoja të gjithë personelin e sigurisë, e veçanërisht policinë për punën e bërë. Vetëm falë tyre qyteti i shpëtoi shkatërrimit. Jam shumë e pikëlluar, sidomos për policët e plagosur dhe shpresoj që ata do të shërohen shpejt. Gjithashtu kërkoj dënime maksimale nga gjykatat, të cilat duhet të tregohen të ashpra kundër këtyre ngjarjeve vërtetë skandaloze”, tha ajo.
Skenat e dhunës kanë qenë vërtetë të sikletshme për vendin bashkë-organizator të Euro 2012, që deri në ditën e martë ishte një eveniment mjaft paqësor, pavarësisht alarmeve për huliganizmin. Ndërkohë, është bërë e ditur se tifozët problematikë janë organizuar për incidentet nëpërmjet rrjeteve sociale.
Policia e cila kishte paralajmëruar rrezikun e trazirave për shkak të problemeve politike ndërmjet dy vendeve, arrestoi 184 persona, 156 prej të cilëve ishin polakë, 25 rusë dhe 3 shtetas të tjerë. Pavarësisht 6400 oficerëve të policisë që ishin në gadishmëri, për të vënë situatën nën kontroll ishin të nevojshme përforëcime edhe nga qytete të tjera.
Në anën tjetër, edhe ministri i Brendshëm i Polonisë, Jaçek Çihozki ka paralajmëruar se huliganët e ndaluar pas incidenteve në Varshavë do të përballen me vendime shumë të ashpra, në mënyrë që të evitohen skena të tilla në të ardhmen.
“Policia po heton dhe procedurat po kryhen mjaft shpejt, mbi të gjitha në rastin e tifozëve të huaj. Besojmë se në harkun e pak ditëve, maksimumi deri në fundjavë, ndaj të gjithë tifozëve të dhunshëm do të jenë dhënë masat përkatëse. Ata do të dëbohen nga Polonia dhe do të regjistrohen në databejzin e ‘shengenit’ në mënyrë që të mos kenë mundësi të udhëtojnë në Bashkimin Europian. Duam që masat të jenë të ashpra dhe gjykatat të jenë shumë strikte, në mënyrë që këta persona ti ndjejnë pasojat e veprimeve të tyre”, vlerësoi ministri.
Gjatë incidenteve në Varshavë, policia hodhi gaz lot-sjellës dhe përdori plumba gome për të shpërndarë grupimet e tifozëve të dhunshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›