Euro në shifra rekord, dje u shit 132.5 lekë
Monedha vendase ka humbur pikë ndaj monedhës evropiane. Sipas agjencive të këmbimit valutor në vend, zhvlerësimi i lekut ndaj euros ka kapërcyer çdo rekord historik që prej vitit 2004. Në agjencitë e këmbimit valutor një euro blihet aktualisht me 132 lekë dhe shitet me 132.5 lekë. Sipas agjencisë së këmbimit valutor, këtë radhë dobësimi i lekut nuk po vjen vetëm nga shkaqe të brendshme, por është i lidhur dhe me ecurinë e kursit euro-dollar në tregjet e huaja. Sipas Bankës së Shqipërisë, e cila i referohet kursit mesatar, në dy javët e fundit euro është forcuar në mënyrë konstante dhe nga 131 lekë që këmbehej në fillim të muajit, tashmë këmbehet me 132.3 lekë. Ndërkohë që agjencitë e këmbimit parashikojnë që leku të zhvlerësohet më tej. Në janar të këtij viti Banka e Shqipërisë vendosi që të ulë normën bazë të interesit për lekun, duke e çuar atë në 5.75 për qind. Ndërkohë që sipas ekspertëve, Banka e Shqipërisë duhet të ulë sërish normën bazë të interesit, por deri më tani nga BSH nuk është dhënë ende asnjë sinjal për marrjen e një vendimi të tillë.
Kursi.
Euro blihet me 132 lekë shitet me 132.5 lekë. USD blihet me 96.7 lekë shitet me 97.1 lekë.