E Diel, 1 Nëntor 2026

Euro zbret në 138.27, dollari ngjitet në 104.4

Kursi

Euro shënoi kuotën më të ulët kundrejt lekut shqiptar që nga 24 dhjetori i kaluar, ndërkohë që dollari amerikan u forcua edhe më tej. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, euro humbi 35 qindarka dhe kushtoi dje mesatarisht 138.27 lekë. Dollari fitoi 97 qindarka brenda një dite. Ndryshimet erdhën si pasojë e nënçmimit të euros në tregun ndërkombëtar dhe jo si pasojë e ndryshimeve të brendshme. Në tregun ndërkombëtar euro humbi më shumë se 1 për qind kundrejt dollarit si pasojë e shqetësimit të investitorëve për zhvillimin e krizës së borxheve të Greqisë dhe vendeve të tjera dytësore të BE-së. Një euro kushtoi dje 1.306 dollarë, kuota më e ulët e shënuar në më shumë se një vit.

Tregu valutor i brendshëm është qetësuar shumë gjatë muajit të fundit dhe ndryshimet kanë qenë të pakta e të vogla. Rënia e euros dhe forcimi i dollarit kanë ndikim miks në ekonominë shqiptare. Për disa dhjetëra e mijëra shqiptarë që kanë të ardhura në lekë dhe kredi në euro, ky është një lajm pozitiv. Por forcimi i dollarit nga ana tjetër ka filluar të sjellë shtrenjtim të disa mallrave të rëndësishëm si karburantet dhe ushqimet, të cilat klasifikohen si importe të denominuara në dollarë. Parashikimet e ekspertëve për të ardhmen janë gjithashtu mikse. Afrimi i sezonit veror jep shpresa për stabilizim të kërkesë-ofertës, por dështimi i planeve të qeverisë për emetimin e eurobondeve, ka shtuar frikën se Ministria e Financave do t’i drejtohet tregut të brendshëm të huamarrjes, gjë që mund të shkaktojë deficit të lartë tregtar e për rrjedhojë, edhe presion mbi vlerën e lekut.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›