E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paralajmërimi i BERZH: “Kreditë e këqija, vala e dytë e krizës për Europën Lindore”



Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) paralajmëroi se vendet e Europës Lindore mund të përballen me një valë të dytë të krizës financiare, si pasojë e rritjes së fortë të kredive të këqija dhe vështirësive financiare të biznesit dhe individëve për t’i paguar ato. BERZH vëren se kreditë e këqija po rriten në mbarë rajonin, por në disa vende si Turqia, Shqipëria, Rumania dhe Ukraina ato janë dyfishuar brenda një viti. Sipas të dhënave zyrtare nga Shoqata e Bankave kreditë me probleme në Shqipëri u rritën në fund të muajit maj me 65 miliardë lekë ose rreth 2 herë më shumë se një vit më parë. Presidenti i BERZH, Tomas Mirrow në një fjalim të mbajtur pak ditë më parë në Institutin e Vjenës tha se “rritja e kredive të pashlyera dhe gjendja e vështirë financiare e biznesit në rajon, po shoqërohen me papunësi dhe përkeqësim të bilancit të bankave”. BERZH thekson se, pothuajse të gjitha vendet ish-komuniste të rajonit, të cilët para krizës shënonin norma të larta rritje ekonomike, po përballen tashmë me rënie të kërkesës dhe investimeve të huaja. Sipas BERZH-it, kjo ka bërë që borxhi në valutë të huaj dhe deficiti korrent të rriten me ritme të papara ndonjëherë në pothuajse të gjitha vendet ish-komuniste. Ekspertet e BERZH theksojnë se kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet dhe sugjerojnë si masa kryesore ristrukturimin e borxhit privat, reduktimin e rrezikut nga kursi i këmbimit dhe përmirësimin e bilanceve të bankave përmes kapitalizimit të tyre. Madje presidenti Mirrow, ka dashur të paralajmërojë edhe disa qeveri të rajonit, të cilat janë shfaqur shumë optimiste. “Kjo është një sfidë e vështirë dhe nuk duhet nënvlerësuar, as ekonomikisht, por aq më tepër politikisht, ndaj dhe ne nuk duhet të lejojmë eufori apo optimizëm të tepruar”,- ka përfunduar kreu i BERZH, Mirrow.

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›