E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i ri, 75 nga 140 deputetë nisin për herë të parë karrierën parlamentare

Grupet parlamentare të PD-së, PS-së dhe LSI-së rinovohen në nivel 50%. Ky Kuvendi me numrin më të madh të deputetëve të rinj, në krahasim me të mëparshmit

Shaban Sulçe
Kuvendi i ri i konfiguruar pas rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit do të mbahet mend për nivelin e lartë të rinovimit të tij. Si asnjëherë më parë, në Kuvendin e ri më shumë se 50% e deputetëve nisin për herë të parë karrierën e tyre parlamentare, ndërkohë që shkalla e rinovimit bëhet edhe më e madhe po të merret parasysh fakti që 4 prej deputetëve të sapozgjedhur rikthehen në Kuvend pas disa viteve mungese. Në historinë e parlamentarizmit shqiptar, Kuvendi i ri do të shënojë një rekord të veçantë. 75 nga 140 deputetët e zgjedhur do të ulen për herë të parë në karriget e Kuvendit, nga të cilët 35 do të jenë deputetë të PD-së, 37 deputetë të PS-së, 2 të LSI-së dhe një deputetë i Partisë për Drejtësi dhe Integrim.

Deputetët e PD-së

Grupi kuvendor i PD-së ka pësuar një ndryshim të madh, në krahasim me grupin parlamentar të Kuvendit të kaluar. 55% e grupit parlamentar të PD-së do të përbëhen nga emra të rinj. Thënë më qartësisht 35 nga 68 deputetë të PD-së janë zgjedhur për herë të parë. Kështu në qarkun e Shkodrës për herë të parë janë zgjedhur deputetë Gëzim Dibra, Gjok Uldedaj e Ndue Paluca, në qarkun e Kukësit Flamur Noka e Besnik Dushaj, në qarkun e Dibrës Sherefedin Shehu, Bedri Hoxha dhe Selami Xhepa. Gjashtë nga 15 deputetët që Partia Demokratike fitoi në qarkun e Tiranës janë emrat e rinj të Kuvendit. Rajmonda Bulku, Gerti Bogdani, Gent Strazimiri, Florian Mima, Myqerem Tafaj dhe Viktor Gumi janë emrat e rinj të PD-së në qarkun e Tiranës, ndërkohë që në Qarkun e Durrësit deputetët e rinj janë Albana Vokshi, Ylli Lama, Eduart Halimi dhe Igli Cara. Në qarkun e Elbasanit emrat e deputetëve të rinj të PD-së janë Ardian Turku, Adriana Gjoni, Luçiano Boçi e Sybi Hida, në qarkun e Beratit Lefter Maliqi, në qarkun e Vlorës Kreshnik Çipi si dhe në qarkun e Gjirokastrës Spiro Ksera. Nga 6 deputetë që PD-ja fitoi në qarkun e Fierit, emrat që do ulen për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë janë Mesila Doda, Enkeleid Alibeaj dhe Vasillaq Ngresi, në qarkun e Lezhës Mark Marku, Pavlina Hoti dhe Rajmond Hoxha, ndërsa në qarkun e Korçës deputetë e rinj të PD-së janë: Gjergji Papa, Ledina Aliolli, Fatbardh Kadilli dhe Ismail Hoxha.

Deputetët e PS-së
Grupi kuvendor i Partisë Socialiste do të jetë grupi i cili do të ketë përbërjen e tij numrin më të madh të deputetëve, të cilët janë zgjedhur për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë. 37 deputetë të PS-së debutojnë në karrierën e tyre parlamentare, nga të cilët 10 prej tyre janë zgjedhur vetëm në qarkun e Tiranës. Kështu deputetët e rinj të PS-së në qarkun e Tiranës janë: Vasilika Hysi, Besnik Baraj, Sajmir Tahiri, Ditmir Bushati, Eglantina Gjermeni, Enkeleda Shkreli, Eduard Shalsi, Xhemal Qefalia, Dashamir Peza dhe Artan Gaçi. Në qarkun e Shkodrës, PS-ja përfaqësohet nga 3 deputetë të rinj përkatësisht Ilir Beqja, Ndue Kola dhe Astrit Beci. Në qarkun e Kukësit deputeti i ri është Asllan Dogjani, në qarkun e Durrësit Rudina Seseri, Hazir Gashi dhe Klodiana Spahiu, në qarkun e Beratit Fidel Ylli dhe Ermonela Velaj. PS përfaqësohet nga tre deputetë të rinj të zgjedhur respektivisht në qarkun Lezhë (Gjok Jaku, Gjovalin Kadeli e Armando Prenga), në qarkun Korçë (Mimi Kodheli, Arben Ahmetaj e Olta Xhaçka) dhe në qarkun Vlorë (Luiza Xhuvani, Eltar Deda e Fatmir Toçi). Në qarkun e Elbasanit, 5 deputetë të PS-së janë zgjedhur për herë të parë. Emrat e tyre janë Ilir Bejtja, Shegushe Ligori, Damian Gjiknuri, Agim Leka, Skënder Hasa. Katër është numri i deputetëve të rinj të PS-së të zgjedhur në qarkun e Fierit, emrat e të cilëve janë Fatos Tushe, Armando Subashi, Ervin Koçi dhe Arben Çuko.

Deputetët e tjerë

Nga 4 deputetë që ka fituar Lëvizja Socialiste për Integrim, dy prej tyre do të ulen për herë të parë në karriget e Kuvendit të Shqipërisë. Biznesmeni Lefter Koka është zgjedhur deputet i LSI-së në qarkun e Durrësit, ndërkohë që për herë të parë është zgjedhur edhe Nasip Naço në qarkun e Beratit. Një tjetër emër i ri i Kuvendit të Shqipërisë do të jetë deputeti i PDI-së Dashamir Tahiri.

Deputetët e rikthyer

Interesant është fakti se në Kuvendin e ri do të rikthehen pas të paktën katër viteve mungesë, katër deputetë, të cilët fituan mandatin në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Bëhet fjalë për Arben Imamin, Ethem Rukën, Ilir Gjonin dhe Gazmir Bizhgën. Dy ish-ministrat e qeverisë socialiste të periudhës 2001-2005, Gjoni dhe Ruka rikthehen në Kuvendin e Shqipërisë pasi fituan mandatin e deputetit respektivisht në qarkun e Tiranës dhe të Gjirokastrës. Ndërkohë deputeti i tretë i rikthyer i PS-së është Gazmir Bizhga i zgjedhur në qarkun e Durrësit. Arben Imami rikthehet në Kuvendin e Shqipërisë si përfaqësues i Partisë Demokratike, ndërkohë që herën e fundit kur ai ka qenë deputet përfaqësonte Partinë Aleanca Demokratike.

Të munguarit e mëdhenj të Kuvendit të ri

Në parlamentin e ri, i cili pritet të nisë punimet në muajin shtator, sigurisht nuk do të lihet jashtë vëmendjes mungesa e emrave të mëdhenj dhe të vjetër të politikës. Ndër mungesat më të rëndësishme do të jenë ato të ish-kryetarit dhe ish-kryeministrit të PS-së Fatos Nano, ish-kryeministrit të PS-së Ylli Bufi si dhe ish-deputetëve të spikatur dhe tradicional si Rajmonda Stefa, Ndriçim Hysa, Elmaz Sherifi, Besnik Dervishi, Flamur Hoxha, Rrapush Tola dhe Musa Ulqini. Figura të tjera të së majtës do t’i mungojnë Kuvendit të ri si kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së Paskal Milo, kreu i PSV 91 Petro Koçi, ish-deputetët e LSI-së Ndre Legisi, Spartak Braho, Pëllumb Xhufi dhe Nikollaq Neranxi. Emra me peshë do ti mungojnë Kuvendit edhe nga spektri i djathtë si ish-deputetët e PD-së Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Aleksandër Biberaj dhe Spartak Ngjela, kreu i PAD-së Neritan Ceka, kreu i LDK-së Nikollë Lesi, kreu i PDK-së Nard Ndoka, kreu i PAA-së Lufter Xhuveli, kreu i PBLD-së Arjan Starova si dhe ish-deputeti i PBDNJ-së Leonard Solis.

Deputetët e rinj të PD-së

Shkodër:
Gëzim Dibra, Gjok Uldedaj, Ndue Paluca

Kukës:
Flamur Noka, Besnik Dushaj

Dibër:
Sherefedin Shehu, Bedri Hoxha, Selami Xhepa

Durrës:
Albana Vokshi, Ylli Lama, Eduart Halimi, Igli Cara

Tiranë:
Rajmonda Bulku, Gerti Bogdani, Gent Strazimiri, Florian Mima, Myqerem Tafaj, Viktor Gumi,

Elbasan:
Ardian Turku, Adriana Gjoni, Luçiano Boçi, Sybi Hida

Berat:
Lefter Maliqi

Vlorë:
Kreshnik Çipi

Gjirokastër:
Spiro Ksera

Fier:
Mesila Doda, Enkeleid Alibeaj. Vasillaq Ngresi

Korçë:
Gjergji Papa, Ledina Aliolli, Fatbardh Kadilli, Ismail Hoxha

Lezhë:
Mark Marku, Pavlina Hoti, Rajmond Hoxha

Deputetët e rinj të PS-së

Shkodër:
Ilir Beqja, Ndue Kola, Astrit Beci

Kukës:
Asllan Dogjani

Durrës:
Rudina Seseri, Hazir Gashi, Klodiana Spahiu

Tiranë:
Vasilika Hysi, Besnik Baraj, Sajmir Tahiri, Ditmir Bushati, Eglantina Gjermeni, Enkeleda Shkreli, Eduard Shalsi, Xhemal Qefalia, Dashamir Peza, Artan Gaçi

Elbasan:
Ilir Bejtja, Shegushe Ligori, Damian Gjiknuri, Agim Leka, Skënder Hasa

Berat:
Fidel Ylli, Ermonela Velaj,

Vlorë:
Luiza Xhuvani, Eltar Deda, Fatmir Toçi

Korçë:
Mimi Kodheli, Arben Ahmetaj, Olta Xhaçka

Fier:
Fatos Tushe, Armando Subashi, Ervin Koçi, Arben Çuko,

Lezhë:
Gjok Jaku, Gjovalin Kadeli, Armando Prenga

Deputetët e rinj të LSI-së
Durrës:
Lefter Koka

Berat:
Nasip Naço

Deputetët e PDI-së

Vlorë

PDI: Dashamir Tahiri

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›