E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurobondi, Ministria e Financave shtyn pa afat procedurat e emetimit



Ervin KOÇI

Hedhja në tregun ndërkombëtar e eurobondit shqiptar është shtyrë për një afat të papërcaktuar. Ministria e Financave nuk ka marrë guximin të shpallë procedurat e nisjes së emetimit të eurobondit, si pasojë e mosstabilizimit të tregut ndërkombëtar dhe e monedhës evropiane, euro. Sipas burimeve nga MF-ja, mësohet se, shpresat e qeverisë shqiptare për stabilizimin e tregjeve ndërkombëtare janë shuar edhe për këtë muaj, pasi është marrë vendimi i shtyrjes së emetimit por një afat të papërcaktuar. Emetimi i bondit shqiptare me vlerë 400 milionë euro, nuk është realizuar akoma për shkak të krizës më të re që ka mbërthyer Eurozonën, atë të dobësimit të vazhdueshëm të monedhës euro përballë dollarit. Kreu i Financave, Ridvan Bode, deklaroi për median ndërkombëtare javën e kaluar se bondet shqiptare do të fillonin të emetoheshin këtë javë, pas shpresës për stabilizim të krijuar nga mekanizmi i ri europian për huadhënie brenda bashkimit monetar me vlerë maksimale prej 750 miliardë eurosh. Por edhe këtë javë, tregjet ndërkombëtare jo vetëm që nuk u stabilizuan, por kaluan vështirësi edhe më të mëdha. Për rrjedhojë, edhe këtë javë, qeveria ka vijuar të heshtë dhe të mos hyjë në fazën e emetimit të bondeve.

Marrja e borxhit
Qeveria e kishte shtyrë për një afat të pacaktuar marrjen e borxhit në tregun ndërkombëtar për shkak të situatës së vështirë në tregjet financiare të Europës. Por MF-ja po shpresonte që ta merrte borxhin brenda këtij muaji, më saktësisht para datës 28 maj, për të shlyer përfundimisht kredinë e shtrenjtë që u mor vjet për rrugën Durrës-Kukës. Marrëveshja e qeverisë për këtë çështje është nënshkruar me dy bankat e mandatuara për eurobondin, “GP Morgan” dhe “Deutsche Bank”. Në marrëveshje është përcaktuar si interes i synuar për letrat me vlerë niveli 7.5 për qind, ndërsa afati i maturimit do të jetë 5 vjet. Në rast se qeveria nuk do të arrijë të emetojë eurobondet brenda këtij muaji, atëherë do të jetë e detyruar të paguajë edhe për 6 muaj të tjera, interesat e larta të kredisë 192 milionë euro që mori nga dy bankat private vitin e kaluar, “Alfa Bank” dhe “Deutsche Bank”. Aktualisht interesi për këtë kredi është rreth 11 për qind. Shqipëria paguan nga buxheti rreth 20 milionë euro në vit interesa për këtë hua, dhe një shtyrje e detyruar prej 6 muajsh do të ketë një kosto të përafërt me 10 milionë euro për buxhetin. Sakaq, tregjet financiare mbeten ende të pasigurta edhe pas arritjes së marrëveshjes nga BE dhe FMN për të ndërhyrë me një paketë shpëtimi 750 miliardë euro.

Pasojat
Qeveria shqiptare mund të detyrohet të vijojë të paguajë interesat e larta prej euribor plus 9.65 për qind edhe për vitin e ardhshëm, në rast se emetimi i eurobondeve dështon. Një kredi me vlerë 192 milionë eurosh e marrë vitin e kaluar ka një kosto vjetore prej afro 20 milionë eurosh. Plani i qeverisë ishte që emetimi i bondeve t’i siguronte 400 milionë euro borxhe me kosto vjetore prej jo më shumë se 30 milionë euro, ose 30-50 për qind më lirë se sa kostoja e kredisë aktuale. Nga ana tjetër, dështimi me eurobondet mund ta detyrojë Ministrinë e Financave t’i drejtohet tregut të brendshëm për borxhet që i nevojiten për të mbuluar deficitin buxhetor të këtij viti. Në këtë rast, ekspertët kanë paralajmëruar se kostoja mund të jetë shumë e lartë dhe pasojat anësore në ekonomi mund të jenë komplekse. Nëse qeveria zëvendëson eurobondet me borxh të brendshëm, efekti i parë mund të jetë rritja e interesave të kredisë së ofrueshme për kompanitë dhe individët. Në këtë rast, kthesa nga kriza për ekonominë shqiptare mund të shtyhet edhe për disa muaj të tjerë. Kriza ekonomike besohet se ka shënuar kulmin e vet në tremujorin e parë të këtij viti dhe se tani situata pritet të përmirësohet.

21 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›