Parashikimi i FMN: Shqipëria 2.3% rritje ekonomike për 2010-n
Ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar parashikojnë një rritje ekonomike prej 2.3 % gjatë vitit 2010 për Shqipërinë. Ekonomisti në Departamentin Europian të Politikave dhe të Studimeve Rajonale të FMN-së, Johan Mathisen, tha dje gjatë një konference mbi parashikimet ekonomike të rajonit, se, "Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë që njohu rritje ekonomike gjatë vitit 2009, ndërsa për këtë vit rritja ekonomike parashikohet 2.3 %". Vitin që vjen, sipas Mathisen, Shqipëria do të njohë një rritje më të madhe, që llogaritet në 3.3 %, por ai kërkoi politika të kujdesshme fiskale nga ana e qeverisë. Sipas tij, menaxhimi i flukseve hyrëse të kapitalit është një tjetër sfidë e qeverisë shqiptare. "Menaxhimi i flukseve hyrëse kërkon politika makroekonomike të adaptueshme dhe përmirësimin e rezistencës së sektorit financiar nëpërmjet politikave të matura dhe forcimin e kuadreve ndërkufitare të stabilitetit financiar",- theksoi eksperti i FMN-së. Sipas tij, Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të rajonit ka qenë më pak e ndikuar nga kriza ekonomike për shkak se ka ditur të shmangë flukset e tepërta të kapitalit. Mathisen u ndal edhe në sfidat e menaxhimit të flukseve hyrëse të kapitalit në Europën në zhvillim.
Siguria ushqimore, BE financon ngritjen e Autoriteti Kombëtar
Plotësimi i standardeve evropiane në fushën e ushqimit do të jetë detyra ligjore e autoritetit kombëtar të ushqimit. Ky institucion e nisi punën, me një ceremoni në praninë e kryeministrit Berisha, ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli, dhe Ambasadorit të KE-së në vendin tonë, Helmut Lohan. Kryeministri tha se ky autoritet zëvendëson 5 inspektorate dhe është pjesë e reformës rregullatore. Sipas tij autoriteti ka funksioni të dyfishtë, sigurinë ushqimore dhe lehtësimin e biznesit. “Sigurimi i ushqimit, apo qoftë edhe themelimi i një Autoriteti të tillë është shumë e rëndësishme për politikat e sigurisë ushqimore të BE-së”,- tha ambasadori Lohan. Ngritja e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit është një projekt i Bashkimit Evropian me një financim prej 10 milionë eurosh.
Projekti, Shqipëria përfiton 12.5 milionë euro për energjinë e rinovueshme
Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me rajonin e Pulias zhvilloi dje një aktivitet inaugurues mbi projektin prej 3.5 milionë eurosh që BE-ja do të financojë për zhvillimin e mëtejshëm të energjisë së rinovueshme në Shqipëri. Gjatë takimit ministri Dritan Prifti u shpreh se ky projekt do ti vijë në ndihmë komunitetit buzë Adriatikut. “Projekti do të ndihmojë tërësisht për të mbështetur komunitetin lokal në Shqipëri, që është buzë Adriatikut, për ta mbështetur atë për eficencën e energjisë pra me investime, projekte, studime. Do të ketë dhe një investim mbi një projekt pilot ku do të ndërtohet një impiant me energji të rinovueshme që do ti shërbejë një komuniteti të caktuar”,- u shpreh Prifti. Ministri i Energjetikës tha më tej se, po punohet për lidhjen e rrjeteve energjetike mes Shqipërisë dhe rajonit të Pulias nëpërmjet një lidhje interkonjeksioni nëndetare.
21 Maj 2010