E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretet e trinomit që do të na kursenin Strasburgun



Ulsi Manja

Deklarata e ambasadorit të OSBE-së nga Gërdeci, vend i cili ka hyrë tashmë në historinë tragjike të Shqipërisë si simboli i korrupsionit të kësaj maxhorance dhe të kryeministrit Berisha, që i ftonte palët në gjetjen e një formule transparence duke iu referuar hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, ndërsa çështjen e hapjes së kutive të fletëve të votimit ta interpretonte Komisioni i Venecias, nxiti mjaft fobi në radhët e maxhorancës, duke reaguar me nervozizëm se jo vetëm nuk ka një draft kompromisi për këtë qëllim, por se kjo formulë zgjidhje është antikushtetuese, antiligjore dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Për ta bërë të besueshëm një artikulim të tillë juridik dhe për të demaskuar grevën e urisë së deputetëve të opozitës, kryeministri i vendit nxitoi të angazhojë me urgjencë në disa fronte deputetët e tij, ish-anëtarë të KQZ-së, përfaqësues të PD-së, çirakë të marrë me qira në kampin e të ashtuquajturve “juristë të pavarur”, intelektualë, artistë të shquar e kështu më radhë, një armatë të tërë njerëzish me grada të larta shkencore, të cilët do të bënin të mundur shtrembërimin me çdo kusht të të vërtetave juridike, të sanksionuara në Kushtetutë, Kodin Zgjedhor dhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese; nga ana tjetër, vijoji zallamahia për të ndërgjegjësuar, gjasme opinionin publik se kjo që po bën opozita po na dëmton rëndë imazhin në Europë dhe në botën e qytetëruar.

Por, në këtë shkrim dua të polemizoj me klasën e juristëve që i bëjnë hije kryeministrit të vendit dhe që me këshillat e gabuara juridike që po i japin atij në lidhje me krizën politike po i bëjnë shërbimin më të keq shtetit ligjor në Shqipëri; po e katranosin akoma më shumë lëmshin politik ku ka hyrë shoqëria shqiptare, si dhe po pengojnë seriozisht integrimin e vendit në BE.

Dua t’u kujtoj atyre se detyrë sublime për një jurist është që ligjin dhe interpretimin e tij ta bëjnë në funksion të së vërtetës objektive dhe në frymën e qëllimit që ka pasur në konsideratë ligjvënësi, si bartës i sovranitetit popullor në momentin e miratimit të tij, dhe jo ashtu siç i intereson kryeministrit të radhës. Në të kundërtën, duke shtrembëruar të vërtetat juridike që ka ligji në përgjithësi, juristët, nga pjesë e zgjidhjes së situatave të caktuara politiko-juridike, me dashje profesionale, bëhen pjesë e mos zgjidhjes së problemit.

Kolegët e mi juristë afër maxhorancës duhet t’i kishin lexuar me lupë në dorë deklarimet e para disa ditëve të komisionerit për Zgjerimin, zotit Fyle, kur tha qartë se zgjidhja e krizës politike në Shqipëri duhet t’i referohet trinomit Kushtetutë – Transparencë - Institucione.

Rreth këtij pohimi ata duhet të gjenin rrugët e duhura për t’ia sugjeruar kryeministrit që të mos e ndërmerrte kot rrugën për në Strasburg, pasi kriza politike e krijuar pas zgjedhjeve të qershorit 2009 ka zgjidhje juridike që vijnë në përputhje të plotë me deklarimet fine dhe plot kumt të zotit Fyle. Por, përkundër kësaj, nën sindromën e postulatit se “zgjidhja më mirë juridike është ajo që i pëlqen shefit”, nxituan të deformojnë, kush e kush më shumë, të drejtën dhe ligjin, duke zgjatur në këtë mënyrë ditët e krizës politike.

Prandaj nuk ke sesi të mos ndjesh keqardhje për këta juristë që diplomën e tyre tashmë ia kanë besuar apo dorëzuar kryeministrit dhe flasin për Kushtetutën e ligjin njëlloj si ai.

Unë i ftoj këta kolegë juristë që betohen për Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të flasin drejt, qartë dhe pa ekuivok se cili nen i Kushtetutës, Kodit Zgjedhor apo cila pikë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese e pengon zbatimin e formulës së ofruar për zgjidhjen e krizës politike që ka mbërthyer vendin në këto 9 muaj?

Unë nuk i vë faj kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, zotit Patozi, se ndoshta ai nuk është jurist në profesion, por është për t’u vajtuar fakti kur këto broçkulla juridike artikulohen nga deputetë-juristë të PD-së. Kam dëgjuar këto ditë nga disa juristë, të cilët i kam vlerësuar gjatë këtyre viteve për zotësinë profesionale, se kutia e materialeve zgjedhore nuk mund të ndahet nga kutia e fletëve të votimit, pasi ato i përkasin një qendre të vetme votimi dhe se ato, ose duhet të hapen së bashku, ose duhet të rrinë mbyllur bashkë dhe se po ndodhi e kundërta, shkelet Kushtetuta dhe ligji. Këta juristë nuk kanë cituar qoftë edhe një herë të vetme se konkretisht cili nen i Kushtetutës apo i Kodit Zgjedhor shkelet, por thjesht rrokin mikrofonin ose marrin penën e shkruajnë leksione, të cilat, me siguri nuk i besojnë as vetë.

Kësaj, të nderuar miqtë e mijë juristë, i thonë: ta përdorësh ligjin dhe profesionin si shkop çorbe për të ngatërruar dynjanë e jo më klasën tonë politike, e cila ngatërron këmbët pa pasur punë me të.
Unë kam një përgjigje të qartë në këtë pikë për të gjithë ata pseudojuristë që me dashakeqësi shtrembërojnë ligjin: Kodi Zgjedhor rregullon veprimtarinë e KQZ-së, përcakton rregullat administrative të menaxhimit dhe miradministrimit të procesit zgjedhor në Shqipëri dhe çdo dokument apo akt administrativ, në sferën e të cilit përfshihen materialet zgjedhore dhe fletët e votimit, i nënshtrohen transparencës dhe kjo është tërësisht e bazuar në Kushtetutën e vendit dhe në vetë Kodin Zgjedhor. Kjo është tërësisht në funksion të hetimit administrativ që kërkon opozita nëpërmjet komisionit hetimor parlamentar dhe nuk përbën cenim të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe as zhbërje të vendimeve të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor në funksion të cenimit të mandateve të fituara më 28 qershor 2009.
Kush ka mendim të kundërt juridik le të dalë dhe të japë argumente ligjore dhe të mos shqetësohet nëse cenohet apo jo legjitimiteti i pushtetit politik, pasi kjo nuk është detyrë e juristëve, por e vetë politikës.
E thënë shqip; formula e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore nga ana e një komisioni hetimor parlamentar dhe adresimi i çështjes së hapjes së kutive të fletëve të votimit te Komisioni i Venecias për interpretim, është zgjidhja e vetme e krizës politike aktuale në Shqipëri, në përputhje të plotë me trinomin Kushtetutë-Transparencë-Institucione, por, siç duket, këtë variant zoti Berisha kërkon patjetër ta shoqërojë me ndezje “zjarri” kur deklaron se - “neni 178 i Kodit Zgjedhor, në momentin që hapen kutitë e materialeve zgjedhore kërkon djegien e fletëve të votimit”, - tregon qartë se ai është kundër transparencës dhe zgjidhjes së krizës politike, sepse siç po kuptohet, pushteti i tij tashmë ka mungesë legjitimiteti.
Edhe për këtë pohim të kryeministrit, vetë Kodi Zgjedhor, në nenin 178/4 të tij ka dhënë një përgjigje të qartë juridike, kur ka përcaktuar si afat maksimal për mbylljen e ciklit të një procesi zgjedhor, deri te procesi tjetër zgjedhor, kohën limit prej 24 muajsh dhe nuk ka pse të ketë ngutje për djegien e fletëve të votimit nga ana e KQZ-së; ndryshe penalisht kjo do të thotë nxitim për të zhdukur provat e krimit elektoral që opozita mendon se vërtet ka ndodhur më 28 qershor 2009.
Ndaj, edhe në këtë pikë, të nderuar kolegë, mendoj se e keni këshilluar shumë keq kryeministrin dhe kjo taktikë do të jetë përsëri e dështuar.
Po qe se ju do ta kishit bërë si duhet detyrën e këshilltarit juridik, duke u udhëhequr gjithmonë nga e vërteta dhe ligji, nuk do të ishte nevoja që politika shqiptare të udhëtonte drejt Strasburgut, ku shpresojmë që Shqipërisë ti vijnë lajme të mira sot dhe jo mot, pasi në të kundërtën, ju do të jeni përgjegjës para shqiptarëve për vonesën drejt Europës po aq sa edhe shefi juaj.

21 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›