E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e Hotel “Dajti”,Braçe: Fullani, ortak i vjetër i Berishës



Shitja e Hotel “Dajtit”, Bankës së Shqipërisë për 30 milionë euro ka nxitur sot kundërshtimet e opozitës socialiste. Deputeti Erion Braçe gjatë një prononcimi për mediat akuzoi Qeverinë se për shkak të keqqeverisjes arka e shtetit është bosh dhe këtë po mundohet ta mbulojë me shitje dhe privatizime të tilla. “Blerja e Hotel ‘Dajtit’ nga Banka e Shqipërisë është totalisht e pajustifikuar dhe një shpërdorim i kotë i parave të saj. Edhe çmimi është spekulativ. Vlera më e madhe e dhënë disa herë në ankande të dështuara për të shitur Hotel ‘Dajtin’, ka qenë diku tek 7.5 milionë dollarë”, theksoi Braçe. Ai akuzoi Bankën e Shqipërisë se ky nuk është rasti i parë që banka “i jep” lekë Qeverisë. “Do doja t’ju kujtoja që nga muaji janar i këtij viti, Banka e Shqipërisë në mënyrë të pa justifikuar i ka dhënë Qeverisë së Republikës së Shqipërisë 3 miliardë lekë të reja ose 30 milionë dollarë kredi direkte. Ashtu siç brenda tre muajve të parë të vitit, si asnjëherë më parë, Banka e Shqipërisë i ka transferuar Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, 2.5 miliardë lekë të reja të tjera si fitim i transferueshëm nga Banka e Shqipërisë, në arkat e Qeverisë”, u shpreh deputeti i PS-së. Ai akuzoi Guvernatorin Ardian Fullani se tashmë është kthyer në një përfaqësues totalisht politik dhe në një ortak të vjetër të Kryeministrit Sali Berisha. Deputeti Braçe nuk ka kursyer as ironinë me paralelizma për vlerën me të cilën po shitet Hotel “Dajti”. “Arkat janë bosh, sepse Sali Berisha vjedh. Arkat janë bosh, sepse Sali Berisha po keqpërdoron paratë publike të shqiptarëve. Sot ka dalë vendimi, vetëm festa e çiljetës në datën 1 maj ka kushtuar 30 milionë lekë të reja, ose 300 milionë lekë të vjetra”, u shpreh Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›