Vota e këshillave, “Aleanca për Qytetarin”, fitoi me 140 mijë vota diferencë
Reforma Zgjedhore, Meta: “LSI të jetë pjesë e hartimit të Reformës Zgjedhore”
“140 mijë votat diferencë në zgjedhjet e 8 majit janë edhe arsyeja e fitores së mazhorancës në Këshillat e Qarkut në thuajse të gjithë vendin”. Kështu u shpreh dje kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një interviste në studion e ABC Neës. Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon të përfshihet në procesin e reformës zgjedhore tha kreu i LSI-së, ndërsa paralajmëroi probleme në zgjedhjet e ardhshme nëse do të ketë një marrëveshje të minutave të fshehtë në minutat e fundit mes dy partive të mëdha. Kreu i LSI-se tha se nuk paragjykon negociatat mes socialistëve dhe demokratëve për reformën zgjedhore, por kërkoi transparencë për një proces që ka të bëjë me votën e të gjithë qytetarëve.
Reforma zgjedhore është prioritet. Keni kërkuar gjithëpërfshirje në tryezën e reformës zgjedhore. Në momentin që flasim, ka në përditshmëri artikulime nga dy palët kryesore që ka bisedime mes deputetëve të përzgjedhur për këtë tryezë. Po shmanget gjithëpërfshirja në këtë rast?
Në fakt këto dy forca politike, të paktën në këto 20 vite, kanë treguar se aq sa ballafaqohen ashpër ndonjëherë për gjëra jo vërtet kapitale për vendin, aq edhe arrijnë të merren vesh në minutat e fundit për çështje që u japin një avantazh jo transparent dhe jo demokratik, sidomos kur bëhet fjala për reformën zgjedhore. Kjo ka ndodhur në të kaluarën dhe natyrisht që ne mund të gjykojmë se çdo kontakt, edhe informal, mund të ndodhë, por nuk kemi pse të mendojmë se gjithnjë kur bëhet një bisedë a diskutim, bëhet diçka e mbrapshtë, pavarësisht nga përvoja e këtyre 20 viteve. Por, në fund të fundit, reforma zgjedhore nuk ka të bëjë me interesat e PD-së, PS-së apo LSI-së dhe të partive të tjera, por ka të bëjë me votën e shqiptarit, me shenjtërimin, barazinë dhe respektin ndaj saj. Kjo është çështja kryesore e reformës zgjedhore dhe jo se si një parti apo dy parti do të arrijnë të fitojnë sa më shumë me këto lojërat e vogla bizantine. Unë mendoj që mesazhi është shumë më i qartë dhe dëshiroj të shpreh edhe një herë vullnetin tonë për një kontribut tepër konstruktiv. Nëse kjo nuk është reformë gjithëpërfshirëse dhe transparente, gjithmonë do të kemi probleme pas zgjedhjeve të tjera. Në rast se, ndryshe nga herët e kaluara, do të kemi një debat të tillë, ku do të jenë të angazhuara jo vetëm partitë parlamentare, por edhe shoqëria civile, e cila ka mjaft ekspertë të njohur të fushës së zgjedhjeve dhe sistemeve elektorale në Shqipëri dhe do të përfshihet edhe media, do të arrijmë qëllimin kryesor, ku shqiptarët do të arrijnë besimin e tyre tek vota.
Çfarë treguesi është për ju fakti që z. Berisha më shumë se një herë i ofron opozitës të bëjë amendimet e nevojshme në kodin zgjedhor dhe mazhoranca do t’i miratojë ato sapo këto të kenë aprovimin e institucioneve ndërkombëtare. A është ky një lloj përjashtimi i partive të tjera?
Jo, unë mendoj që kjo përbën shprehjen më të qartë publike të politikë për të çuar më përpara standardet e zgjedhjeve, bazuar në eksperiencat e deritanishme dhe në rekomandimet e OSBE-ODHIR-it që natyrisht janë të paanshme dhe janë vetëm në interes të procesit. Në këtë mënyrë, kanë bërë ftesën më konkrete lidershipit të opozitës për të punuar të gjithë së bashku për këtë reformë zgjedhore, meqenëse lidershipi i opozitës vazhdimisht ka ngritur shqetësime apo kontestime për sa i takon kodit zgjedhor, implementimit të tij dhe çështje të tjera.
Do të donit të ndryshojë sistemi elektoral në Shqipëri, pavarësisht se kjo kërkon ndryshimin e Kushtetutës?
Mendoj se nuk është kjo çështja më e rëndësishme në këtë rast, pasi ka sisteme, modele dhe përvoja të ndryshme. Nuk ka një sistem për të cilin mund të thuhet se është më i miri dhe nuk mund të diskutohet në raport me një tjetër. Këtu kemi të bëjmë me një vullnet politik, i cili duhet të forcojë besimin te zgjedhjet, te vota dhe t’i japë fund një herë e mirë kontestimeve të zgjedhjeve nga pala humbëse. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjet dhe standardet e zgjedhjeve, por edhe me kulturën e përfaqësuar nga forca politike.
Tryeza e opozitës ka paraqitur një platformë me katër pika për reformën zgjedhore dhe Kongresi i 5 nëntorit pritet të ngrejë një strukturë për të mbrojtur votën. Sa reale dhe funksionale ju duket kjo?
Nuk do të hyj në çështje të brendshme të Partisë Socialiste. Mendoj se e rëndësishme është të mos humbet më asnjë minutë me diskutime, qoftë edhe informate, të cilat theksoj edhe një herë nuk kanë asgjë të keqe. Duhet dhënë një mesazh brenda vendit, jashtë vendit, Bashkimit Europian, sepse reforma zgjedhore është një nga kërkesat kryesore. Duhet krijuar ky komision, duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe më pas edhe asistenca e OSBE-ODHI-it dhe Komisionit të Venecias, me të cilët pata rastin të takohesha dhe të cilët kanë dhënë një ekspertizë të mrekullueshme për Kushtetutën e vendit tonë dhe shumë ligje të diskutueshme dhe të debatuara, vendimet do të diskutohen, do të shqyrtohen dhe do të shkojnë tek standardet më të mira të mundshme, sepse në fund të fundit nuk fillon diçka nga zero.
Z. Meta sa herë që shikojmë që ka probleme tek eksponentë të Partisë Socialiste gjithmonë mendojmë se do të bashkohen me LSI-në. Ju kam pyetur më parë dhe ju keni thënë që gjithmonë dyert janë të hapura. Si funksionon kjo, ka kushte në dyert e hapura apo jo?
Ne nuk e bazojmë perspektivën e Lëvizjes Socialiste për Integrim tek thjesht pakënaqësia që mund të kenë elementë të caktuar në parti të tjera. Besoj se ka qenë dhe mbetet e qartë për të gjithë që LSI prioritetin kryesor e ka sidomos tek rinia. Ajo është një nga bazat e suksesit tonë. Ashtu sikurse nuk mund të mbyllim derën për askënd i cili bashkohet me alternativën tonë. Që në momentin që dikush aderon tek ne mendoj që ka të bëjë me një fillim të ri që do të thotë që ne nuk kemi paragjykime se nga vjen, se si vjen e kështu me radhë. Ndaj në këtë drejtim, edhe në të ardhmen, politika jonë do të jetë pikërisht politika e fuqizimit të LSI-së duke forcuar ato vlerat e saj themelore që e dallojnë nga forcat e tjera politike dhe jo thjesht tërheqja e elementëve të pakënaqur diku.
Të ndalemi pak tek deklarata juaj nga Durrësi ku keni thënë që do të kandidoni përsëri në krye të LSI-së. A ka emra alternativë?
Unë u pyeta dhe natyrisht që nuk mund të them që nuk dëshiroj të kandidoj për arsyen që vjen nga motivimi që solli rezultati i zgjedhjeve të 8 majit. Lëvizja Socialiste për Integrim pati një rezultat spektakolar. Mbi 120 mijë vota në rang vendi si parti dhe natyrisht që më motivon për të votuar. Ne jemi një forcë e hapur. I mirëpres kandidaturat alternative. Nuk më krijon asnjë lloj shqetësimi përkundrazi gjithmonë më ka pëlqyer gara.
...