Ngjela: Koalicioni "Poli i Lirisë", nuk ndajmë të njëjtat pikëpamje
Partia Ligj dhe Drejtësi nuk do të hyjë në zgjedhje as me Partinë Demokratike e as me Polin e Lirisë. Spartak Ngjela nuk ka arritur të gjejë gjuhën e përbashkët me Nard Ndokën dhe Dashamir Shehin për tu bashkuar nën koalicionin "Poli i Lirisë". Kështu, Ngjela ka vendosur të dalë i vetëm me partinë e tij në zgjedhje, duke mos përjashtuar bashkëpunime të tjera, por duke përjashtuar vetëm Partinë Demokratike.
Ngjela në një konferencë për mediat informoi se ai nuk ndan interesa të përbashkëta me drejtuesit e "Polit të Lirisë" dhe si i tillë nuk mund të bëhet pjesë e këtij grupimi."Partia Ligj dhe Drejtësi ka vendosur të dalë e vetme në zgjedhje me ndonjë koalicion anësor, sepse ndjen dallim në pikëpamje. Deri në këto momente qëndrimi i partisë tonë është ky, bëri të ditur Spartak Ngjela, kryetari i partisë Ligj dhe Drejtësi. Ngjela deklaroi se partia Ligj dhe Drejtësi ka dale në skenën politike për të frenuar riardhjen e socialistëve në pushtet dhe të shpëtojë të djathtën, duke e ristrukturuar brenda nocioneve të reja pas goditjes së rëndë që i solli qeverisja aktuale. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, ditën e mërkurë tre partitë e djathta përjashtuar partinë e Spartak Ngjelës, Ligj dhe Drejtësi kanë nënshkruar një marrëveshje që i bënë pjesë të koalicionit Poli i Lirisë. Partia Demokristiane e Ndokës dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtarë e Dashamir Shehit, si dhe Partia Bashkimi Demokrat kanë nënshkruar për angazhime të përbashkëta para dhe pas zgjedhore. Por, ajo që ra në sy ishte mungesa e Spartak Ngjelës, kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi në këtë marrëveshje, njëra nga partitë firmëtare sqaroi se nuk kishte asgjë për tu shqetësuar përveç faktit se partia e Ngjelës po organizohet në rrethe dhe e kanë shtyrë këtë për një moment tjetër. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi lidhur me mungesën e Ngjelës në ditën e nënshkrimit të koalicionit Poli i Lirisë sqaroi se Ngjela nuk e ka firmosur për faktin e thjeshtë me pretendimin që do të merret me ngritjen e strukturave të partisë. Ne e mirëkuptojmë, duke qenë partia e fundit që ka vetëm dy javë që është krijuar dhe i ka këto vështirësi, ka thënë kreu i LZHK-së. Ai i ka shprehur Ngjelës mirëpritjen, i cili është një nga protagonistët e Polit të Lirisë. Shehi ka deklaruar se afati përfundimtarë që deklarohet para Komisionit Zgjedhorë është 45 ditë përpara zgjedhjeve.