E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kriminelët e komunizmit janë pjesë e drejtësisë shqiptare

 Kryeministri Berisha kërkon mbështetje në Gjermani për ligjin e lustracionit
Kryeministri Berisha vazhdon të tregojë vendosmërinë e tij kundër krimeve të komunizmit dhe spiunëve të sigurimit duke kërkuar të rikthejë në skenë  ligjin për lustracionin. Kryeministri Berisha i ftuar në Gjermani nga Fondacioni Konrad Adenauer, në konferencën me temë Vitet 1989/1990, era e ndryshimit në Shqipëri,  ka shpalosur përpara personaliteteve më të larta gjermane eksperiencën e shtetit shqiptar në rrëzimin e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Ai deklaroi nevojën e ndarjes së shoqërisë shqiptare nga krimet e komunizmit të cilat  i përkufizoi si krime kundër njerëzimit. Duke risjellë në vëmendje kohën e diktaturës, Berisha përmendi krimet e asaj periudhe, ekzekutimet pa gjyq, burgjet e diktaturës viktimat të shkaktuara sipas tij nga uria dhe regjimi i triskave. Berisha vlerësoi gjithashtu rolin e Gjermanisë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe ndihmën që ky vend ka dhënë në projekte të ndryshme dhe në forcimin e institucioneve demokratike në vendin tone qe ne total kapin shifrën 860 milion euro. Berisha deklaroi para personaliteteve gjermane se regjimi komunist në Shqipëri ishte regjimi më mizor, ekzekutoi me gjyq dhe pa gjyq mbi 11 mijë qytetarë shqiptarë, ekzekutoi në tërësi të gjithë inteligjencën perëndimore të Shqipërisë, udhëheqjen e besimeve fetare, mijëra e mijëra të tjerë intelektualë, burra dhe gra. Ai shtoi se mbi 40 mijë shqiptarë përjetuan në kampet e përqendrimit kulakët më të rënda ose u dëbuan nga vendbanimet e tyre. Nuk ishin burgjet kampet apo ekzekutimet me gjyq dhe pa gjyq që përbënin numrin më të madh të viktimave në vendin tim, u shpreh kryeministri Berisha, duke vijuar se ato ishin dy herë më të shumta se të gjitha vendeve të tjera ish-komuniste përveç Bashkimit Sovjetik dhe Hungarisë në kohën e revolucionit. Berisha tha se në Shqipëri numrin më të madh të viktimave e shkaktoi uria në të cilën regjimi e zhyti vendin për më shumë se 40 vjet me radhë. Sipas tij,  25 vitet e fundit vendi jetonte me triska për racionet ushqimore, por triskat ishin një privilegj, sepse me to merrje një minimum bazë ushqimesh, por 40 % e popullatës nuk merrte asgjë tjetër, përveç bukës së misrit një kg vaj, një kg sheqer dhe kripë. Kryeministri Berisha deklaroi se në dallim nga të gjitha vendet ish-komuniste, regjimi adaptoi tolerancë zero ndaj disidencës, me qindra dhe mijëra intelektualë burgoseshin internoheshin dhe nuk mund të krijonin një disidencë të tyre. Një gjeneratë e tërë ndër të cilat dhe unë , lindëm dhe u rritëm duke mos ditur se çështë liria. Me mundim të madh pas fuqizimit të thellë, unë ia dola të marr një vendim në gjysmën e dytë të viteve `80 një vendim i thjeshtë të mos vazhdoja konformizmin tim, të dilja nga konformizmi, dhe të bëja atë që s`kisha bërë, u shpreh Berisha, duke theksuar se pas këtij vendimi është ndier më i lirë dhe më i qetë se kurrë. Lidhur me ligjin e lustracionit, kryeministri Berisha shprehu bindjen se shoqëria shqiptare duhet të gjejë një mënyrë të qytetëruar pajtimi, sepse sipas tij kryegjykatësi që dënoi me varje poetin, deri para tre vitesh ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kurse njeriu që urdhëroi zvarritjen në mes të qytetit të lidhur me tela me gjemba të trupave të rinj, gjer para një muaji vazhdonte kryehetues i vendit. Unë kam bindjen më të thellë se pavarësia e sistemit gjyqësor është jetike dhe vendimtare për sistemin demokratik, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, por shoqëria shqiptare duhet të ndahet nga krimet kundër njerëzimit, theksoi Berisha. Në përfundim, kryeministri Berisha falënderoi shtetin Gjerman për ndihmën e jashtëzakonshme që i ka dhënë Shqipërisë me të gjitha reformat e mëdha dhe përpjekjet në procesin e integrimit. Berisha bëri të ditur se taksapaguesit gjermanë u kanë dhënë shqiptarëve dhe Shqipërisë gjatë këtyre viteve mbi 860 milionë euro të shtrirë në qindra projekte shumë efiçente në të katër anëtar e vendit, projekte që kanë ndryshuar për mirë jetën e qytetarëve shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›