E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurogrup Greqia i ka marre masat per te siguruar paketen e dyte te shpetimit

Pas takimit me ministrat e financave të Eurozonës, kreu i Eurogrupit Juncker, ka thëne se Greqia i ka marrë të gjitha masat për të siguruar paketën e dytë të shpëtimit nga vendet e monedhës euro. “Janë marrë të gjitha masat ligjore nga ana e parlamentit dhe e qeverisë dhe një pjesë e veprimeve për aplikimin e tyre duhet të kompletohet në një periudhë të shkurtër” ka shtuar Juncker, pas takimit.
Edhe shefja e FMN Christine Lagarde ka shprehur optimizmin e saj mbi progreset e reformave të bëra nga ana e Greqisë.
Ministri gjerman i financave Shoble, pas takimit të Eurogrupit ka thënë se ministrat e Financave të Eurozonës do t’i japin rrugën e lirë paketës së Greqisë më datën 9 mars gjatë telekonferencës që do të zhvillohet mes tyre.
“Të gjitha masat e marra nga vendet e eurozonës po japin frytet e tyre. Kriza nuk ka përfunduar por jemi duke parë rezultatet e përpjekjeve të vendeve anëtare”. Kështu ka deklaruar kreu i këshillit europian Herman Van Rompuy.
Por për momentin presidenti i KE-së, Barroso, referuar shifrave të Eurostat mbi papunësinë rekord të Eurozonës, është shprehur se me këto nivele dramatike prioriteti ynë duhet të jetë punësimi. Prioriteti ynë ka shtuar Barroso është krijimi i vendeve të punës, modernizimi i modelit social duke luftuar pabarazitë dhe duke përdorur projektet qeveritare për rilancim të rritjes.
Nga ana tjetër kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur se firmosja e paktit të stabilitetit që pritet të arrihet në ditën e dytë të samitit nga 25 vendet e BE-së, është hapi më i rëndësishëm që mund të bëhet në një kohë kaq të shkurtër. Merkel është shprehur shumë e kënaqur pasi pothuajse të gjitha vendet do të firmosin paktin e stabilitetit, duke afirmuar se ky është hapi i parë drejt një bashkimi politik të Europës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›