E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranë marrëveshjes

Partitë e djathta po diskutojnë krijimin e një koalicioni të ri parazgjedhor për 2009-ën

Drejtues të forcave të koalicionit qeveritar i thanë mbrëmë “Korrierit” se po diskutojnë mundësitë për koalicione zgjedhore me Partinë Demokratike të kryeministrit Sali Berisha dhe se janë pranë krijimit të një grupimi të përbashkët për procesin e ardhshëm të vitit 2009. Drejtues republikanë, demokristianë dhe liberalë-demokratë pohuan se Berisha ka garantuar mundësinë që në 2009-ën të shkohet bashkërisht si koalicion në zgjedhje. Ndaj, po pritet që partitë e djathta të formatojnë grupimin për atë proces dhe kjo është aktualisht po diskutohet mes krerëve aleatë dhe Berishës. Ndërsa sot kryetari republikan Fatmir Mediu do të qëndrojë për takime të nivelit të lartë në Kosovë, burime partiake të koalicionit pohuan se ideja është hedhur në tryezën e të djathtëve përpara dhe pas votimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese. Premtimi për të diskutuar edhe mbi këtë tezë, nxiti aleatët e Partisë Demokratike të votojnë pro sistemit proporcional rajonal. Teza e diskutueshme për daljen në zgjedhje si një grupim i vetëm i partive të djathta nuk u hodh poshtë nga kreu i Bashkimit Liberal-Demokrat, Arian Starova. Ish-ministri i Jashtëm në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar të kryeministrit Bashkim Fino në periudhën mars-korrik 1997, saktësoi megjithatë se ende nuk është vendosur për këtë formulë, por në takimet e ardhshme është një opsion që do të diskutohet mes krerëve të partive. Sakaq, kryetari demokristian Nard Ndoka, nuk konfirmon nëse kjo tezë është diskutuar mes krerëve të partive në takimet me kryeministrin para se të bëhej votimit të ndryshimeve kushtetuese. Ndërkohë, burimet bëjnë të ditur se me këtë tezë, krerët e partive aleate mund të bien dakord, pasi kjo është një ndër formulat që siguron edhe qëndrimin e tyre në Parlament pas vitit 2009. Sipas kësaj teze, emrat e kryetarëve të partive të djathta mund të vendosen të parët në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë, gjë që do t’u garantonte atyre edhe karrigen parlamentare. Në këtë formë, krijimi i një koalicion të përbashkët, i bazuar mbi kontrata parazgjedhore dhe me hartimin e një liste të përbashkët, ku në krye vendosen krerët e partive të vogla të djathta, duket se është një opsion që në ditët në vazhdim do të jetë pjesë e diskutimeve të tryezës së djathtë. Duke u bazuar mbi tezën e mësipërme, koalicioni parazgjedhor drejtohet nga Partia Demokratike dhe në të mund të bëjnë pjesë aleatët: PR, PDK, PDR, PBLD, PAA dhe PBDNJ. Krijimi i koalicionit do të sillte edhe daljen e partive të djathta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me një logo dhe slogan të përbashkët, sikurse ka ndodhur në procese të mëhershëm. Dalja në zgjedhje si një grupim i vetëm i partive të djathta është provuar edhe herë të tjera nga ana e Partisë Demokratike, me krijimin e koalicioneve “Bashkimi për demokraci” dhe “Bashkimi për fitore”. Partia Demokratike dhe kreu i saj, Berisha, mund të përdorin këtë formë, e cila garanton vazhdimësinë e koalicionit dhe të drejtuesve aleatë, për ulëse në Kuvend dhe që përmbush gjithashtu interesat politikë votat e partive të tyre të kthehen në mandate. Ndërkohë, pritet që korrigjimet që do t’i bëhen Kodit Zgjedhor, të vendosin edhe për mundësitë e krijimit të koalicionit, përqindjes së kërkuar për partitë dhe kushtet mbi të cilat do të nënshkruhen marrëveshjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›