E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurokoha sponsor i kombëtares shqiptare

Kompania nga Kosova, Eurokoha, është sponsori më i ri i kombëtares shqiptare të futbollit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Kështu, Eurokoha bëhet kompania e parë sponsore e kombëtares nga Kosova. Marrëveshja ndërmjet kompanisë dhe institucionit të futbollit shqiptar është nënshkruar kohë më parë dhe do të jetë një vjeçare, me mundësi vazhdimi. Duke pasur parasysh se kombëtarja shqiptare është e të gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe festën e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, kemi vendosur dhe arritur marrëveshje me presidentin e FSHF-së, Armand Duka që të kemi një bashkëpunim një vjeçar të sponsorizimit, tha presidenti i Eurokoha, Remzi Ejupi. Eurokoha edhe në të kaluarën ka mbështetur figura të rëndësishme të sportit gjithë shqiptar si Luan Krasniqin, FC Prishtinën e shumë aktivitete të tjera. Menduam se kombëtarja është më gjithëpërfshirëse në aspektin sportiv për shqiptarët dhe me dëshirë iu kemi bashkuar sponsorëve të tjerë të kombëtares sonë, tha Ejupi. Logo e Eurokohës tashmë gjendet në të gjitha aktivitetet promovuese dhe konferencat për shtyp të kombëtares dhe kjo është vërejtur edhe në grumbullimin e tashëm që kishin kuqezinjtë për ndeshjen miqësore të 15 gushtit me Moldavinë. Eurokoha gjithashtu do të bëjë organizimin e udhëtimit për tifozët shqiptarë për të përcjellë ndeshjen e rëndësishme kualifikuese për botërorin, Brazili 2014 që luhet më 11 shtator në Luzern, ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë. Të gjithë të interesuarit mund të prenotojnë që tani organizimin e këtij udhëtimi në zyrat tona në tërë territorin e Kosovës, thuhet në njoftimin e Eurokohës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›