Europa League është e Portos

Porto është fitues i Europa League pasi në finale të këtij kompeticioni, të mërkurën mbrëma në Dublin të Irlandës e mundi rivalin vendor, Braga me rezultat minimal 1:0.
Bardh e kaltrit e arritën këtë sukses me meritë, pasi që ishin më të mirë në këtë duel se ekipi kuq e bardh, i cili ishte befasi e këtij sezoni në garat evropiane.
Ekipi i Andre Villas-Boas pati disa raste me sulmuesin e rrezikshëm Hulk. Ndërsa, dominimi i tyre u shpërblye në minutën e 44-t kur Radamel Falcao shënoi me kokë për rezultatin 1:0, pas harkimit të saktë nga e djathta të Guarin.
Sulmuesi kolumbian, i cili realizoi 17 gola në 14 ndeshje në Europa League këtë sezon - rekord absolut - njëherësh u shpall edhe lojtari më i mirë i finales.
Braga, rastin më të mirë te ndeshjes e pati me të filluar pjesa e dytë, kur Mossoro e shfrytëzoi një gabim të mbrojtësit Fernando, por dështoi të shënonte kur doli përballë portierit Nol Helton.
Në vazhdim, Porto e kontrolloi lojën, ndërsa Braga sulmonte herë pas here, por pa shkaktuar ndonjë rrezik të theksuar. Kjo ishte hera e dytë që Porto e fiton këtë kompeticion, pas atij të vitit 2003, kur fitonte nën udhëheqjen e Jose Mourinhos.
Për të ardhur deri në finale, Porto kaloi pengesat e quajtura Genk, Besiktas, Rapid Vienna, CSKA Sofje, Sevilla, CSKA Moska, Spartak Moska dhe Villarreal. Kurse, finalen e meritoi edhe Braga, e cila eliminoi ekipe të njohura si Dinamo Kiev, Sevilla, Liverpool e Benfica.
Për Porton, e cila e mposhti Bragan tri herë këtë sezon, ky ishte trofeu i dytë i sezonit, pas titullit të kampionit në Portugali, ku nuk kishte asnjë humbje. Presidenti i UEFA-s, Michel Platini ia dorëzoi kupën kapitenit, portierit Nol Helton.
Europa League
Finalja
Porto – Braga 1:0