E Shtunë, 31 Tetor 2026

I lidhur me Realin

Leite Kaka e sheh të ardhmen në Real Madrid. Ylli brazilian thotë se e presin sfida të tjera në Spanjë. Ai e ka hedhur poshtë mundësinë e transferimit te Chelsea ose rikthimit në Milan, pasi ndien se ka ende për t’i dhënë klubit madrilen. Nga Express më 19 maj 2011 në ora 08:35

Leite Kaka insiston se do të mbetet në Real Madrid. Ylli brazilian u dha fund spekulimeve për një transferim të tij të mundshëm te Chelsea, ose për një rikthim te Milani, pas sezonit zhgënjyer në Spanjë.

Mesfushori brazilian ka thënë se e ka ndërmend të mbetet te gjiganti spanjoll sezonin e ardhshëm, duke e hedhur poshtë mundësinë që të luajë në Angli ose Itali. Braziliani iu bashkua Real Madridit në vitin 2009 për 65 milionë euro, por ai nuk i arsyetoi aspak këto para.

“Dëshiroj të qëndroj në Real Madrid, dua të luaj për këtë ekip. Më pret një sfidë e madhe në Madrid. Nuk dua të mendoj tash për Premierligën ose për një rikthim në Itali. Po mundohem ta kthej formën më të mirë dhe të jem gati për të luajtur për Realin sezonin tjetër”, deklaroi ish futbollisti më i mirë në botë.

“Pata dy vjet të këqija, mund ta them këtë. Por, tash ne e fituam Kupën e Spanjës dhe arritëm në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Gjërat po përmirësohen”, shtoi ai.

Braziliani ishte objektiv i Manchester Cityt në janar të vitit 2009, por Kaka thotë se kurrë nuk e kishte konsideruar mundësinë që t’i bashkohej klubit anglez, i cili ofronte para të majme.

“E refuzova Manchester Cityn sepse ishte mesi i sezonit dhe gjithmonë thosha se do të doja të luaj në Madrid, nëse e lë Milanin”, thotë përfaqësuesi brazilian.

Kaka mban ende kontakte me ish trajnerin e tij, Carlo Ancelotti. Mirëpo, sipas tij, kjo nuk do të ndikojë aspak që t’ia ndërrojë atij mendjen të mbetet te ‘Merengues’.

“Kam marrëdhënie të mira me Carlon, por e vërteta është se unë dua të rri te Reali. Dua të luaj dhe të jetoj në Madrid”, tha në fund Kaka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›