Europa te beje me shume kunder krizes

Fondi Monetar Ndërkombëtar druhet nga një infektim i krizës europiane edhe për pjesën tjetër të botës. Liderët europianë duhet të marrin vendime të menjëhershme kundër krizës së borxheve. Rreziku i infektimit është ende i lartë dhe Europa duhet të bëjë më shumë për ta shmangur atë, thuhet në raportin e fondit dedikuar ndikimit të politikave ekonomike të pesë ekonomive sistemike, SHBA, Kinë, Eurozonë dhe Britani e Madhe. FMN vlerëson se vendimet e marra brenda bllokut të monedhës euro pavarësisht progreseve nuk duket se janë të mjaftueshme për të ndalur shpërndarjen e stresit dhe ndoshta mund të vënë në rrezik një rimëkëmbje globale e cila është në stanjacion për shkak të krizës së tregjeve financiare. Sipas parashikimeve të FMN pritet që PBB i Eurozonës të bierë me 5%, po në të njëjtin nivel edhe ekonomia britanike, ndërsa për SHBA impakti do të shkojë rreth -2% i PBB. Edhe për Japoninë ndikimi i krizës do ta çojë ekonominë në një rënie me 1%. Për këtë mesazhi i FMN është i qartë; liderët europianë duhet të zbatopjnë veprime konkrete dhe në kohë sa më të shpejtë për të penguar këta skenarë. Por për institutin e Uashingtonit, jo vetëm Eurozona por edhe SHBA duhet të shmangin mungesën e 4 mijë miliardë dollarëve të gropave fiskale dhe të nisin me shkurtime automatike të shpenzimeve për vitin e ardhshëm. Për FMN Kina do të ketë një ngadalësim të mëtejshëm të investimeve, Japonia nuk mund të vijojë të shtojë borxhin e saj publik, që është shumë i lartë dhe Britania e madhe duhet të marrë nisma të tjera për të fuqizuar sistemin financiar dhe besimin e bankave.