E Diel, 1 Nëntor 2026

Europarlamentarët: Nuk Mund të Flisnim Më Qartë se Kaq

9 dhjetori do të mbahet mend për mirë nga ne shqiptarët. Më në fund një sihariq nga politika shqiptare. Kjo datë do të futet në histori si fillimi i realizimit të asaj që mund të quhet ëndrra europiane shqiptare.
Në mëngjesin e ftohtë por me shumë diell të 9 dhjetorit, përfaqësuesit e dy partive kryesore, nën drejtimin e 6 Europarlamentarëve, miratuan një rezolutë me gjashtë pika të BE-së, që vulosi angazhimin e tyre për të përmbushur së bashku reformat drejt integrimit europian.
Diku kam lexuar se “ëndrra nuk është gjë tjetër veçse një qëllim me një afat për t’u realizuar”. Me pak fjalë, kjo ishte edhe esenca e mesazhit që dhanë Europarlamentarët të kryesuar nga Z.Eduard Kukan. Duke marrë si shembullin më të freskët rastin e Kroacisë, që arriti javën e kaluar të renditet vendi i 28 anëtar i BE-së, ata e bënë të qartë se kjo punë s’mund të shkojë pa fund për ne shqiptarët.
Takimi i 4-rt ndërparlamentar për Procesin e Stabilizim-Asocimit nxori në pah më shumë se asnjëherë rolin e BE-së në uljen e dy partive kryesore shqiptare në një tryezë të përbashkët. Dhe për të ardhur deri këtu, kuptohet se investimi ka qenë i madh.
Europarlamentarët ishin më se të qartë në ato se çfarë kërkojnë nga politika shqiptare. Të prerë, pa nuanca a fjalë të mëdha, ata i prekën të gjitha aspektet. Tani ‘topi’ është në ‘fushën’ e Shqipërisë. Kjo ishte fjala e fundit. S’ka ngelur më gjë për të thënë.
Ata e bënë të qartë se gjashtë muajt e ardhshëm janë vendimtarë për të ardhmen europiane të vendit, kohë kur ne duhet të përveshim mëngët, kush më shumë e kush më pak. Siç thotë edhe një fjalë e urtë popullore, - “Shi e borë mund të bjerë nga qielli, por jo miell!”.
Ajo që është e rëndësishme të nënvizohet në një moment të tillë është se ky mesazh nuk iu drejtua vetëm politikës shqiptare, por indirekt edhe tërë shoqërisë e popullsisë. Ky ndryshim progresiv që pritet nga Shqipëria duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë. Porse shembullin duhet ta japë politika e para, për ta reflektuar këtë qëndrim kudo në shoqëri, si për të vërtetuar atë që shpesh dëgjohet “I’d love to change the world but I don’t know what to do.” (Dua ta ndryshoj botën por s’e di se si).
Si për të rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes së BE-së ndaj Shqipërisë, deklarata e Komisionerit Stefan Fule erdhi në momentin e duhur. Ai deklaroi së fundmi se Shqipëria do të ketë mundësinë të vazhdojë të përfitojë nga ndihma bujare e BE-së midis vendeve të tjera të rajonit që inspirojnë BE-në për periudhën nga 2014-2020, kur fondi i alokuar do të jetë rreth 14.1 miliard euro në kuadrin e IPA (Instrumenti i Para-Aderimit).
E pra, ndërmarrja është shumë e madhe, përgjegjësia e marrë gjithashtu, ndërsa koha duket se vetëm fluturon. Rezoluta e nënshkruar peshon dhe nuk mund të shihet si një dokument midis shumë të tjerëve. Diferenca e madhe që bën një dokument i tillë është se ai mishëron besimin dhe ndershmërinë e përbetuar të politikës shqiptare para Europës. Një dokument i nënshkruar sa për sy e faqe para Europës do të ishte veçse një boomerang për vendin e vogël ballkanik, që shpesh është gjendur në vijën e startit dhe rrallë, në atë të finishit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›