E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shiu mbush hidrocentralet, KESH: Nivelet brenda normave

TIRANË-Fillimi i sezonit të ftohtë, hyrja në muajin e fundit të vitit, përveç uljes së temperaturave, ka sjellë dhe fillimin e reshjeve të shiut apo dëborës, të cilat ndikojnë drejt për së drejti në nivelin e prurjeve në hidrocentralet kryesore të vendit.
Burime zyrtare të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), bënë sot të ditur në një njoftim për shtyp se "niveli i prurjeve në kaskadat, ku janë instaluar hidroçentralet kryesore të vendit tonë, është rritur lehtë dhe është nën kontroll".

Referuar të njëjtit burim, hidrocentrali i Komanit, në kaskadën e lumit Drin, i cili ka një fuqi të instaluar prej 600 MW dhe që gjeneron një prodhim mesatar vjetor prej 2060 GWh, aktualisht ndodhet në nivelin 171.82 metra nga 176 metra që është niveli maksimal i tij. Prurjet në të sot kanë arritur në 600 metër kub në sekondë.

Ndërsa hidrocentrali i Fierzës, i cili ka një fuqi të instaluar prej 500 MW dhe një prodhim mesatar vjetor prej 1800 GWh, sot ndodhet në nivelin e 262.83 metrave, nga 296 metra që është kapaciteti maksimal i tij. Ndërsa për sa i takon prurjeve ato kanë arritur nivelin e 300 metër kub për sekondë.

Ndërsa në hidrocentralin e Vaut të Dejës, me fuqi të instaluar prej 250 MW dhe një prodhim mesatar vjetor prej 1000 GWh, niveli i prurjeve sot është 60 metër kub në sekondë. Ai, ka një kapacitet maksimal 76 metrash, ndërkohë që sot është në lartësinë e 74.60 metrave.

Të njëjtat burime pohuan se "për momentin, niveli i ujit në këto hidrocentrale është brenda normave dhe prurjet në to, janë nën kontroll”.

Liqeni i Fierzës mbulon rrënojat e Kukësit të Vjetër
Reshjet e shiut të ditëve të fundit, edhe pse jo me intensitet kanë nisur të përmirësojnë treguesin e prurjeve të ujit në liqenin e Fierzës, i cili shërbën si rregullator edhe për dy hidrocentralet e Kaskasdës së Drinit, të Vaut të Dejës dhe të Komanit, bën të ditur ATSH.
“Reshjet e ditëve të fundit kanë ngritur prurjet e ujit nga rreth 35 metër kub në sekondë në mbi 240 metër kub ujë në sekondë në 24 orë. Prurjet janë thuajse të njëjta gjatë këtyre ditëve të fundit”, pohojnë burime nga salla e komandës e hidrocentralit të Fierzës.
Të njëjtat burime saktësojnë se, “reshjet e shiut kanë qenë me intensitet të ulët gjë që ka bërë që edhe treguesi i prurjeve të vijë në rënie nga dita në ditë”.
Gjithsesi reshjet e ditëve të fundit kanë parandaluar rënien e mëtejshme të nivelit të ujrave në liqenin e këtij hidorcentrali.
Këtë e tregon edhe fakti se ujrat e liqenit të Fierzës kanë mbuluar sërish të gjitha rrënojat e qytetit të Kukësit të vjetër që kishin dalë në sipërfaqe prej disa ditësh.
Një gjë e tillë tregon se niveli i ujrave të liqenit të Fierzës është mbi 263 metra mbi nivelin e detit, një tregues gjithsesi mjaft i ulët për këtë periudhë, kur si pasojë e reshjeve të vazhdueshme çdo vit në këtë periudhë, niveli i ujrave të liqenit ka qenë afër nivelit maksimal të tij që është 296 metra mbi nivelin e detit.
Mungesa e reshjeve edhe gjatë muajit dhjetor mund ta përkeqësojë situatën në ditët e ardhshme. Kjo për faktin se prurjet e ujit në basenin e Fierzës për këtë periudhë janë të ulta në krahasim me vitin e kaluar, kur në këtë periudhë reshjet e shiut ishin të pandërprera.
Rrënojat e Kukësit të vjetër dolën në sipërfaqe për herë të parë në vitin 1995 që nga 1978 kur ishte ngritur liqeni i Fierzës. Rrënojat e Kukësit të vjetër vazhduan të dalin në sipërfaqe në vitin 1998, ndërsa pas vitit 2000 dalja e reënojave të qytetit ka qenë më e shpeshtë, ndërsa për herë të fundit rrënojat e qytetit u shfaqën në vitin 2005.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›