E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano, peng i ndryshimeve kushtetuese

Fatos Nano nuk e ka mohuar asnjëherë në këto vite ambicien e tij presidenciale. Në të gjitha lëvizjet e tij të post 2005-ës, moment kur zgjodhi të dorëhiqej nga të gjitha funksionet partiake në PS, synimi i tij ka qenë krijimi i rrugës së duhur drejt shkallëve të godinës pompoze në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pikërisht në një rol të tillë prej një politikani konsensual për të cilin ka nevojë vendi, zgjodhi të shfaqej edhe në intervistën e tij të fundit nga Londra. Me të kaluarën e tij të gjatë në radhët e PS-së dhe me shtrëngimin e duarve me njeriun që dikur e burgosi, Fatos Nano është përpjekur që të shfaqet në sytë e shqiptarëve si njeriu i duhur që vjen nga e majta, por kthehet pa frikë edhe djathtas. Me pak fjalë, lideri mbi palët politike, të cilin kemi pritur deri më sot.
Por, sa shanse ka Fatos Nano për të marrë një mandat të tillë në vitin 2012-të, në këtë kërcim plot rreziqe mes të majtës dhe të djathtës?
Edhe pse në politikë vetë Nano dhe Berisha na dëshmuan, ndërsa shtrëngonin duart, se mund të ndodhë e paimagjinueshmja, kur vjen fjala për presidencën duhet të analizojmë disa fakte që nuk mund të anashkalohen. Është e sigurtë për shembull se ëndrra presidenciale e Fatos Nanos ka pësuar prej disa vitesh një tronditje të rëndë dhe ndoshta fatale. Pikërisht në 21 prill 2008-të, kur Edi Rama dha pëlqimin e tij për ndryshimet kushtetuese, të cilat e kthyen zgjedhjen e Presidentit të Republikës në një votim me një mazhorancë të thjeshtë, Fatos Nano i është larguar këtij rrugëtimi të tij në krye të shtetit.
Lidershipi i PS-së ka shprehur muajt e fundit një pendesë për këtë veprim të tri viteve më parë, por në fakt nuk e ka zbuluar deri më sot arsyen e saktë të këtij aprovimi. Një miratim, që po shihet si arsyeja e prishjes së balancave të pushteteve dhe ndoshta edhe e krizës së stërzgjatur politike të dy viteve të fundit.
Për shumëkënd në Partinë Socialiste, arsyet e paktit të vitit 2008-të janë të qarta, por kjo nuk i është thënë hapur publikut të gjerë. Është kërkuar ndjesë për atë besim që iu dha Berishës, janë gjetur edhe tradhtarë si Kastriot Islami e ndonjë ndihmës i tij, por deri më sot nuk është shpjeguar fakti se pas këtyre ndryshimeve qëndronte edhe një arsye tjetër madhore.
Nëse do të shikojmë epilogun e paktit PD-PS për ndryshimet e vitit 2008-të, duhet të kemi parasysh se vetëm 10 muaj më parë, kryetari historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano kishte lëvizur shumë gurë për të kandiduar përkundrejt vullnetit të partisë së tij, në postin e Presidentit të Republikës. Në momentin që nuk arriti të merrte një aprovim të shumicës së socialistëve, Nano vuri në përdorim votat e disa deputetëve besnikë të tij për t’i siguruar shumicën e nevojshme, presidentit aktual Bamir Topi.
Pra, në një sistem ku zgjedhja e Presidentit kërkonte më tepër se votat e mazhorancës së djathtë, ambicia e Fatos Nanos me ata pak besnikë që i kishin mbetur në PS, mund ta bënte atë faktor të rëndësishëm, jo vetëm për të përcaktuar emrin e presidentit, por njëkohësisht do t’i jepte forcën e duhur për të rimarrë apo përçarë PS-në.
Duke pranuar votimin me një mazhorancë të thjeshtë të Presidentit të ardhshëm në vitin 2012-të, kreu socialist Rama rrezikoi shumë gjëra, por njëkohësisht shpëtoi nga hija e përhershme e Nanos në PS. Që prej këtij momenti e në vijim, njerëzit që njiheshin si mbështetësit më besnikë të ish-kryetarit të burgosur, ndërprenë njëri pas tjetrit kontaktet me të, ose u anatemuan nga elektorati si njerëz të padëshiruar në parti. Kjo ishte fitorja e madhe e Ramës për të kthyer disiplinën në një parti që ka vuajtur gjithnjë mungesën e saj dhe rrymat përçarëse. Sigurisht që ky imazh i ri i PS-së nuk është shembulli më i mirë i demokracisë së brendshme partiake, por ishte mënyra e vetme për të eliminuar lindjen e një apo më shumë LSI-ve, përçarje e cila do ta mbante në opozitë përfundimisht të majtën shqiptare.
Në të njëjtën kohë, nëpërmjet këtij lëshimi në tavolinë ndaj Berishës për zgjedhjen e presidentit, Rama i hoqi nga duart paraardhësit të tij socialist të vetmin mjet shantazhi dhe fuqie. Me eliminimin e detyrimit për të siguruar vota majtas për emrin e presidentit të ri, roli i Nanos si një shpëtues i krizave presidenciale është zbehur në sytë e Berishës. Edhe më delikate bëhet kjo pozitë e Nanos, kur ‘AS-at’ socialistë nën mëngën e tij janë rralluar së tepërmi që prej ‘pokerit’ të fundit presidencial të vitit 2007-të.
Mund të ketë këndvështrime të debatueshme për të drejtën apo pamundësinë e Fatos Nanos për të kërkuar një tjetër rikthim në politikën aktive të vendit, por ajo që mund të thuhet tashmë me siguri është fakti se kësaj here nuk është Shqipëria që po i afron Nanos këtë post, si një figurë konsensuale dhe shpëtimtare për ta nxjerrë vendin nga kriza e stërzgjatur, ashtu siç u përpoq ai të na e shpjegonte në intervistën londineze. Këtë herë, është Nano që kërkon t’i shtojë karrierës së tij, një tjetër rol në ‘filmin’ e politikës shqiptare. Për fat të keq, për një arsye apo një tjetër, ‘aktorët’ protagonistë, Berisha dhe Rama, ia kanë mohuar prej tri vitesh këtë mundësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›