Zgjerohet rrethi i të dyshuarve për vrasjen e vëllait të deputetit
Kurbin- Nga dëshmitë e mbledhura deri tani nga Policia e Laçit është bërë e mundur të mësohet se në vrasjen e tij ka qenë vetëm një person. Ndërsa ende nuk ka asnjë të ndaluar deri tani për vrasjen e Përjet Abazit, tre ditë më parë në Laç. Ndërkohë që burime të sigurta informacioni të Policisë së Kurbinit bëjnë të ditur për gazetën që në vrasjen e 45-vjeçarit biznesmen, ka marrë pjesë një person, i cili ka qenë i maskuar me një xhup dhe një kapuç në kokë. Sëbashku me armën e krimit, ai është larguar në drejtim të rrugës së vjetër të Laçit me Tiranën në këmbë. Edhe pse Policia e Kurbinit u shpreh se hetimet janë shpresëdhënëse, deri tani në dhomat e paraburgimit nuk ka asnjë të ndaluar për vrasjen. Ndërsa vijojnë hetimet nga ekspertë të Ministrisë së Brendshme në Kurbin. Mësohet gjithashtu se policia ka zgjeruar edhe hartën e hetimeve, jo vetëm në Laç, por edhe në Tiranë e në Dibër, përfshirë edhe rrjetin shoqëror të tij, me të cilët Abazi është shoqëruar kohët e fundit. Përjet Abazi u vra para tre ditësh në Laç, teksa ai ka dalë nga një kazino, dhe është qëlluar me breshëri automatike në drejtim të tij, ku dy plumba e kanë kapur atë në kokë. Ndërsa 42-vjeçari ka mundur të shkojë deri tek makina e tij, ka mbetur i vdekur në vend. Sipas dëshmitarëve okularë, mësohet se Abazi ka qëndruar për gati dhjetë minuta duke lëvizur në tokë, njërën dorë, por askush nuk ka ndërhyrë për ta dërguar në spital, pasi kishin frikë se ai ishte duke dhënë shpirt e mund të akuzoheshin ata. Vetëm kur në vendin e ngjarjes ka ardhur edhe shefi i komisariatit Ndue Doçi, viktima është marrë e dërguar në spitalin e Laçit, e më pas në morgun e këtij spitali, për t’u tërhequr më vonë nga ana e familjarëve.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Kurbinit, një nga pistat kryesore që po hetohet është ajo e larjes së hesapeve. Por ata nuk përjashtojnë mundësinë që një konflikt i mundshëm i tij me autorët, mund të ketë ardhur pas problemeve që ai ka pasur në lidhje me biznesin e tij. Po kështu, ata kanë hetuar edhe në lidhje me ndonjë hakmarrje të mundshme, pasi Përjet Abazi, njihej si njeri mjaft problematik jo vetëm në Tiranë ku jetonte, por edhe në Dibër, ku ka jetuar para se të vinte në Tiranë. Në hetim është gjithashtu edhe pista e një konflikti në kazino, ku viktima dyshohet se ka ngacmuar një nga punonjëset e kazinos, por që deri tani nuk është pranuar nga pronari i lokalit, apo punonjësit e tij.