E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza globale, si do të ndikohet tregu i sigurimeve

Intervistë me kryetarin e Bordit Mbikëqyrës të Sigma, Christoph Wolf
Kriza globale nuk e ka prekur ende tregu e sigurimeve, por sigurisht që fitimet e kompanive të sigurimeve nuk do ti shpëtojnë efekteve të saj. Në këtë përfundim arrin kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Sigma-s, Christoph Wolf, i cili ndër të tjera tregon produktet e reja që kjo kompani po ofron për tregun shqiptar. E përfshirë edhe në diskutimet në lidhje me zgjerimin e tregut privat të pensioneve, kompania Sigma Vienna Insurance Group është duke përmirësuar cilësinë e shërbimit dhe të paketave që ofron ajo për klientët. Z. Wolf nënvizon faktin se tregu i sigurimeve është tkurrur, për shkak se kompanitë private dhe bizneset, momentalisht janë më pak të interesuar të harxhojnë para në sigurime. Por sipas tij, ky treg është zgjeruar gjatë dy viteve të fundit dhe këtë trend do të vijojë të ndjekë, sepse tashmë komuniteti i biznesit dhe vetë shoqëria shqiptare janë ndërgjegjësuar për rëndësinë që ka sigurimi i jetës, shëndetit, apo pronës.

-Çfarë risish ofron Sigma Vienna Insurance Group, në krahasim me kompanitë e tjera?
Qëkur Vienna Insurance Group bleu Sigmën para dy vjetësh kishte si synim të saj përmirësimin e shërbimeve ndaj klientit dhe futjen e produkteve të reja në treg, duke përmirësuar cilësinë e stafit dhe punonjësve të kompanisë dhe duke kontribuar për kulturën e sigurimeve në Shqipëri. Mbi të gjitha ne po përpiqemi që të sjellim një ndryshim në atë që ofrojmë për tregun sigurimeve në Shqipëri, për të qenë shumë më mirë se sa konkurrentët tanë dhe për të ofruar shërbimet e cilësisë shumë të lartë, që është ajo që klientët tanë presin nga ne.

-Cilat janë disa nga produktet e reja, që ofron aktualisht Sigma?
Që prej vjeshtës së vitit të kaluar ne nxorëm në treg produktin e ri të sigurimit të shëndetit për klientët. Kjo paketë mbulon sigurimin shëndetësor jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Në këtë momente produkti u ofrohet kompanive të mëdha këtu në vend, që mund të sigurojnë punonjësit e tyre. Gjithashtu në fusha të tjera ne po mundohemi të përmirësojmë produktet ekzistuese dhe të fusim në treg produkte të reja, kryesisht në linjat e sigurimit vullnetar si për shembull sigurimi i shtëpisë i cili për momentin nuk është dhe aq i përhapur në Shqipëri, si dhe sigurimin e pronës për kompani të vogla dhe të mesme.

-Si do ta vlerësonit është tregu shqiptar i sigurimeve. A ka ndryshuar pjesa juaj e klientelës gjatë këtyre viteve të fundit, në raport me kompanitë e tjera?
Në krahasim me vende të tjera të rajonit ku ne operojmë, Shqipëria është akoma një treg i vogël, megjithatë tregu po rritet dhe zhvillohet. Ne duam të marrim pjesë në këtë rritje dhe të japim kontributin tonë në këtë proces. Kemi vënë re që të paktën në periudhën e fundit se ka një rritje dhe më shumë klientë po e kuptojnë se vlera e sigurimit është e madhe. Kjo jo vetëm në linjat e detyrueshme si kartoni jeshil, por edhe në linjat vullnetare.

-A ka pasur efekte nga kriza globale, tregu i sigurimeve në Shqipëri dhe në veçanti i kompanisë suaj?
Kemi vënë re që të paktën deri tani tregu i sigurimeve dhe ekonomia në përgjithësi nuk duket të jenë prekur nga kriza financiare, në krahasim me rënien që kanë pësuar vendet e tjera. Pra, nga njëra anë kjo është një gjë pozitive dhe nga ana tjetër nuk mund të mohohen ato efekte që tashmë janë vënë re në Shqipëri. Tregu i sigurimeve gjatë dy muajve të fundit është vënë nën presion për nivelin e çmimeve, të cilat padyshim do të japin efektin e tyre në rezultatin e tregut të sigurimeve. Kompanitë shqiptare dhe bizneset nuk janë të pritura aktualisht që të harxhojnë shumë për sigurimet, një ndikim ky i drejtpërdrejtë dhe i dukshëm. Por, ne si Sigma po përpiqemi që të bindim kompanitë shqiptare dhe klientët për përfitimet që kanë nga sigurimet. Efektet do ti shohim në fund, por ne parashikojmë që presionet e ushtruara deri tani në çmime do të kenë efekt në përfitimet e kompanisë.

-Sa është numri i klientëve të SIGMA-s dhe drejt cilave paketa që ju ofroni janë më të interesuar ata?
Janë rreth 50 mijë klientë të siguruar në kompaninë Sigma. Ashtu si në të gjithë tregun sigurimi i TPL-së është më i përhapuri, kështu që edhe një pjesë e madhe e klientëve tanë është i orientuar drejt këtij produkti. Neve po përpiqemi që të zgjerohemi në linja të tjera të biznesit përveç linjave jovullnetare. Ne po përpiqemi tu tregojmë klientëve që edhe shërbimi i ofruar në linjat e tjera të biznesit është me po aq cilësi të lartë.

-A është i zhvilluar tregu i pensioneve private dhe cili është mendimi juaj në lidhje me legjislacionin për këtë fushë?
Ky treg është shumë i vogël aktualisht dhe i pazhvilluar, por pensionet private janë një fushë shumë interesante. Ne kemi diskutuar edhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe jemi të informuar rreth reformave që do të ndërmerren në këtë drejtim në Shqipëri. Sigma ka një fond privat të pensioneve dhe ne jemi të integruar në këtë proces, pasi ofrojmë një produkt për pensionet private. Në të ardhmen, kur reforma të jetë adoptuar dhe të përfshihet në shtyllën e dytë të skemës së detyrueshme, siç është edhe në vende të tjera të rajonit, ky do të jetë akoma më interesant edhe për kompaninë tonë, por edhe për kompanitë e tjera që të jenë më aktive në këtë drejtim. Ne kemi fonde të tjera pensionesh private në vende të tjera. Kemi marrë pjesë në të tilla diskutime për reforma të ngjashme në Bullgari, Rumani, Kroaci që e kanë futur në shtyllën e dytë të skemës së pensioneve të detyrueshme. Nëse autoritetet shqiptare vendosin të implementojnë këtë reformë, ne jemi të gatshëm që të marrim pjesë dhe të japim kontributin dhe eksperiencën tonë në tregun privat të pensioneve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›