Eurozona, 30 miliardë euro për Greqinë, detajet sekret
Ministrat e Financës nga 16 vendet e Eurozonës kanë përfunduar edhe miratimin e detajeve të planit më të fundit të shpëtimit për krizën financiare greke, prej 30 miliardë eurosh. Zyrtarë nga Spanja, e cila aktualisht mban presidencën e BE-së, informuan se kanë ndërmjetësuar një marrëveshje mbi shkallën në të cilën vendet e eurozonës do të huazojnë para për shtetin në borxhe. Qëllimi është vendosja e normave të interesit nën normën e tregut aktual dhe lejimi që Greqia të jetë në gjendje të marrë fonde të rëndësishme, pa pasur nevojë të përdorë tregjet financiare, të cilat janë bërë gjithnjë e më të shqetësuara në lidhje me borxhin e saj të madh. Por ministrat do t’i mbajnë sekret detajet ekzakte të planit deri kur Greqia të kërkojë para. “Ne ramë dakord për mënyrën specifike, sipas së cilës, vendet anëtare bashkë me FMN-në, do të ofrojnë ndihmë financiare për Greqinë, nëse ajo do ta kërkojë atë, - tha ministri qipriot i Financave, Sharilaos Stavrakis. - Ne kemi përfunduar si detajet, ashtu edhe mënyrën precize nga e cila do të aktivizohet ndihma, kjo ishte unanime”, shtoi ai për britaniken, “Gardian”. Ekonomistët shpresonin se marrëveshja mund të arrihej përpara se të hapej tregtia në tregjet financiare të hënën në mëngjes, për të evituar spekulime të tjera mbi Greqinë dhe borxhet e saj. Kostoja e huamarrjes së Greqisë në tregjet financiare arriti nivelet rekord javën e kaluar, ndërsa shqetësimi i investitorëve ishte rritur. Qeveria greke ka rikonfirmuar se nuk ka në plan të përdorë rezervat e kësaj pakete ndihme, por ajo ishte e domosdoshme për t’u dhënë fund spekulimeve dhe pasigurisë, të cilat kanë imponuar një përqindje shumë të lartë për huamarrjet që kërkonte Greqia në tregjet e hapura. Por janë pak ata që besojnë se Greqia mund t’ia dalë e vetme pa përdorur ndihmën e FMN-së dhe vendeve të eurozonës. Greqia duhet t’i rritë të ardhurat me rreth 11.5 miliardë euro deri muajin e ardhshëm, për të përmbushur detyrimet e saj, por kjo është vetëm një pjesë nga totali prej 54 miliardë eurosh që ajo duhet të arrijë këtë vit, me qëllim që të mbulojë ripagesat e borxheve dhe nevojat e buxhetit të saj. Borxhi total i Greqisë aktualisht është 300 miliardë euro. Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, e përshkroi marrëveshjen si një armë mbi tryezë, e cila është gati për t’u mbushur. “Pas zhvillimeve të fundit me termat e vendosura, kemi një armë mbi tryezë, e cila do të mbushet, - tha ai në një intervistë në të përditshmen greke ‘To Vima’. - Spekulatorët do ta dinë këtë. çështja është nëse ky mekanizëm do t’i bindë tregjet qartë, si një armë mbi tryezë. Nëse nuk e bën, është një mekanizëm që ekziston dhe mund të përdoret”, tha ai.