Kirgistan, takime për njohjen e Qeverisë së re
Përpjekjet diplomatike janë intensifikuar në Kirgistan për të zvogëluar krizën politike të vendit të Azisë Qendrore. Një qeveri e përkohshme ka marrë pushtetin në kryeqytet, por një president sfidues, i cili është fshehur në jug të vendit, refuzon të japë dorëheqjen. Krerët e Qeverisë së përkohshme janë takuar me përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) si dhe diplomatë rusë. Ata po përpiqen të shpërndajnë tensionet e krijuara, pas përballjes që ndodhi mes ushtrisë dhe protestuesve të mërkurën e kaluar, ku humbën jetën rreth 80 civilëve. Megjithëkëtë, presidenti Kormanbek Bakiyev ka mohuar se ka urdhëruar trupat që të hapin zjarr mbi protestuesit. Pavarësisht nga rritja e presionit dhe rritjen de facto të njohjes nga komuniteti ndërkombëtar për qeverinë e përkohshme, presidenti nuk e jep dorëheqjen. Ka informacione kontradiktore në lidhje me qëllimet e tij. Ka burime që flasin mbi një ndërmjetësim në lidhje me kushtet për largimin e tij nga vendi. Por Bakiyev u ka thënë gazetarëve në Jalalabad se ai nuk ka bërë asgjë të keqe, kështu që nuk ka asnjë arsye që të lërë vendin, ose postin e tij. “Ndërgjegjja ime është e pastër”, është shprehur ai. Shtetet e Bashkuara e kryen kontaktin e parë të nivelit të lartë me qeverinë e përkohshme të Kirgistan të shtunën, duke marrë sigurime se udhëheqja e re do të respektojë deri në fund marrëveshjet e mëparshme dhe do të lejojë përdorimin e një aeroporti nga amerikanët, që luan një rol të rëndësishëm në furnizimin me armatime për luftën në Afganistan.